Izraeli dhe Hezbollahu kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit të arritur mes tyre, vetëm një ditë pasi marrëveshja hyri në fuqi, duke synuar t’i japë fund më shumë se një viti luftimesh në Liban.
Sipas ushtrisë izraelite, armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, është shkelur kur “të dyshuar”, disa prej tyre me automjete, u kthyen në zona të Libanit jugor.
Reuters raporton se si përgjigje, trupat izraelite hapën zjarr ndaj tyre, duke deklaruar se këto veprime përbëjnë shkelje të marrëveshjes.
Hezbollahu, nga ana tjetër, ka akuzuar Izraelin për sulme ndaj banorëve që po përpiqeshin të ktheheshin në fshatrat kufitare.
Deputeti i Hezbollahut, Hassan Fadlallah, tha se Izraeli po i sulmon civilët, duke i quajtur këto veprime si shkelje të armëpushimit.
Mediat libaneze raportojnë se tanket izraelite kanë qëlluar në gjashtë zona në jug të Libanit, përfshirë Markaba, Wazzani, Kfarchouba dhe fushat përreth Marjayoun.
Të gjitha këto zona ndodhen pranë kufirit të njohur si Vija e Kaltër.
Sipas burimeve të sigurisë, dy persona janë plagosur në Markaba.
Ndërkohë, mijëra libanezë të zhvendosur nga zonat kufitare po përpiqen të kthehen për të kontrolluar pronat e tyre, por trupat izraelite ende qëndrojnë brenda territorit libanez.
Gazetarët kanë raportuar për fluturime të dronëve izraelitë mbi këto zona.
Armëpushimi përfshin një periudhë dy mujore, gjatë së cilës të dyja palët duhet të ndalojnë operacionet sulmuese.
Sipas kushteve të marrëveshjes, Hezbollahu duhet të tërheqë forcat e tij të armatosura nga Libani jugor, ndërsa Izraeli ka deri në 60 ditë për të larguar trupat nga territori libanez.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar ushtrinë që të mos lejojë kthimin e banorëve libanezë në fshatrat pranë kufirit, ndërsa kryetari i parlamentit të Libanit, Nabih Berri, ka bërë thirrje që qytetarët të kthehen në shtëpitë e tyre.
Kjo situatë pasqyron brishtësinë e armëpushimit dhe sfidat e shumta në zbatimin e marrëveshjes, ndërsa një panel ndërkombëtar do të mbikëqyrë procesin për të shmangur përshkallëzime të mëtejshme