×
  • Lajme
  • Lajme

    Jahjaga: Ushtria nuk bëhet pa Amerikën

    Insajderi
    24 April 2017 - 09:47

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë në një intervistë për Gazetën Insajderi se ushtria e Kosovës është nisur të bëhet me partnerët strategjikë, siç është ShBA-ja dhe NATO, dhe ashtu duhet të ndodh.

    Ajo ka thënë se e ardhmja e FSK-së është brilante, e cila do të jetë e barabartë me forcat tjera Euro-atlantike të NATO-s.

    “FSK-ja ka një të ardhme jashtëzakonisht brilante, do ta ketë një të ardhme shumë brilante, sepse bazat në të cilat është vendosur së bashku dhe me një partneritet të plotë duke filluar me partnerët tanë strategjikë, pastaj edhe me aleatët tjerë të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, duke filluar nga qelizat apo celulat e para të vendosjes së strukturave të kësaj force është përgatitur në atë drejtim që FSK-ja në të ardhmen Forca e Armatosur e Kosovës, ushtria e Kosovës, të jetë e pjesë e barabartë e Forcës Atlantike të NATO-s”, ka thënë ish-presidentja Jahjaga për Insajderin.

    E pyetur se pse nuk janë iniciuar hapat e transformimit të FSK-së në kohën sa ajo ka qenë presidente, Jahjaga nuk ka dashur të japë detaje për hir, siç ka thënë ajo, të sekretit institucional.

    “Këta hapa edhe përfaqësuesit që janë përbrenda FSK-së, zyrtarët edhe përfaqësuesit e institucioneve, e dinë më së miri se çfarë diskutime kanë qenë, çfarë plane kanë qenë për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që unë për hir të respektit të kushtetutës, por edhe respektit të një far lloj sekreti institucional, unë nuk ia lejoj vetës që disa gjëra të brendshme të i qes në sipërfaqe”, ka shtuar më tej ajo.

    Ish-presidentja Jahjaga ka thënë se ‘jemi ende goxha hapa larg, pikë së pari ndaj partneritetit për paqe dhe pastaj proceseve të tjera’.

    I gjithë ky proces, sipas saj, duhet të shkojë pikë së pari në favor të FSK-së, pastaj të vetë të ardhmes së shtetit të Kosovës, dhe pastaj Kosova të jetë kontribuuese ndaj sigurisë globale./Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark