×
  • Lajme
  • Aktuale

    Javën e ardhshme kthehet në agjendë liberalizimi i vizave për Kosovën – Nga Coreper flasin për Insajderin

    Insajderi
    26 November 2022 - 19:00

    ‘Sanksionit’ të BE-së ndaj Kosovës që u vendos ditë më parë pritet t’i vijë fundi. Javën e ardhshme propozimi për liberalizimin e vizave do të jetë në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Shtyrja e të cilit u bë për shkak të çështjes politike në mes Kosovës dhe Serbisë për targat dhe situatës në Veri. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Eva Hrncirov, zëdhënësja e trupit të ambasadorëve të BE-së (Coreper).

    Më 22 nëntor përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

    Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

    Vetëm një ditë pas, propozimi për liberalizimin e vizave, i cili parasheh lëvizjen e lirë të kosovarëve, u hoq nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Shkak u bë situata në Veri të Kosovës.

    “Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

    Situata në veri të Kosovës u tensionua, për shkak të vendimit të kryeministri Albin Kurti për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.

    Më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës nisi qortimin e qytetarëve serb që nuk i kanë konvertuar targat në RKS, ndërsa nga 21 nëntori synonte të niste gjobitjen me nga 150 euro.

    Mirëpo, presioni ndërkombëtare bëri që një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet me 23 nëntor, dhe Veriu t’i kthehet normalitetit.

    Tashmë, propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet t’i kthehet ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, që të vendosin voton e tyre.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar Eva Hrncirov, zëdhënësja e trupit të ambasadorëve të BE-së (Coreper), për ta pyetur se kur pritet të kthehet në agjenda çështje e liberalizimit te vizave, pas normalizimit të situatës në Veri.

    Në përgjigjen e saj, Hrncirova tha se liberalizimi i viza hyn ne agjendë javën e ardhshme.

    “Shpresojmë në javët e ardhshme”, thuhet në përgjigjen e Hrncirov dhënë Gazetës Insajderi.

    30 nëntori është përfolur si datën kur pritet që ambasadoret e BE-së të votojnë për liberalizimin e vizave.

    Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane.

    Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

    ShBA-ja shtyn vizitat e zyrtarëve qeveritarë

    Para dhjetë ditësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sanksionuan zyrtarët qeveritarë. Ua mbylli derën ministrave e kryetarëve të komunave, ani pse kishin agjendë takimesh atje.

    Si pasojë e refuzimit për të dëgjuar thirrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shtyhet për dhjetë muaj çështja e targave për serbët e veriut, kjo e fundit ka anuluar vizitat e planifikuara të dy prej ministrave të qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti.

    Albulena Haxhiu ministrja e Drejtësisë dhe Elbert Krasniqi ministër i Pushtetit Lokal, nuk do të mund të udhëtojnë gjatë kësaj periudhe në Amerikë.

    Këto udhëtime zyrtare u shtynë me urdhër direkt të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, shkruan Gazeta Insajderi.

    Të njëjtin fat patën edhe kryetarët e komunave, Shpejtim Bulliqi, Alban Hyseni dhe Qemail Aliu.

    Kriza në pjesën veriore ishte arsyeja kryesore pse kryetaret dhe ministrat e Kurtit nuk udhëtojnë për në SHBA.

    “Kjo nuk është koha më e përshtatshme për ministrat që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare”, kështu kanë deklaruar nga Ambasada Amerikane në një përgjigje për Gazetën Insajderi. Sipas zëdhënëses së Ambasadës Amerikane, Katherine Judd, SHBA-ja është e fokusuar për të bërë një zgjidhe të situatës.

    Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, tha se kjo nuk është koha e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë për takime zyrtare në SHBA.

    “Kjo nuk është domosdoshmërish koha më e përshtatshme për ministrat që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare”, thuhet në përgjigjet e Katherine Judd dhënë Insajderit.

    Sipas ambasadës, SHBA-ja është e fokusuar për të zgjidhur situatën e krijuar në veri dhe besojnë se edhe qeveria Kurti është e fokusuar në zgjidhjen e krizës që ka kapluar vendin.

    “Megjithatë, ekziston një pyetje e veçantë, e cila është planifikuar udhëtimi në Shtetet e Bashkuara për takime zyrtare. Ne jemi në një krizë tani. Ne jemi shumë të fokusuar në këtë krizë; ne besojmë se kjo qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë”, thuhet me tej në përgjigjen për Insajderin.

    Nga ambasada amerikan kanë sqaruar qartë punën e refuzimit të vizave, e cila u përfol kohëve të fundit në media.

    Zëdhënësja amerikane, Katherine Judd tha për Insajderin se nuk ka asnjë rrethanë që qeveria e SHBA-së të mos lëshojë vizë për një ministër të Qeverisë së Kosovës.

    “Nuk shohim asnjë rrethanë për të cilën Qeveria e Shteteve të Bashkuara do ta ketë të vështirë t’i lëshojë vizë një ministri në Qeverinë e Kosovës. Nuk mund të flas për raste specifike dhe individuale të vizave, por nuk jam në dijeni të ndonjë rrethane ku një ministër i qeverisë nuk do të kualifikohej për të marrë vizë për punë zyrtare”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së dhënë Insajderit. /Gazeta Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark