×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Johnson uron Kurtin: Britania e Madhe do të mbështesë prioritetet e Qeverisë

    Insajderi
    21 April 2021 - 13:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti takoi sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

    Ambasadori Abbott i dorëzoi kryeministrit Kurti letër urimin nga kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson, me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës.

    Në letër urim, kryeministri Johnson e vlerëson lart miqësinë e afërt historike mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe. Ai rithekson zotimin e Britanisë së Madhe për integrimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në vazhdim të letrës, kryeministri Johnson shpreh vullnetin për të punuar së bashku me kryeministrin Kurti, për të ndihmuar në sigurimin e stabilitetit e prosperitetit për Kosovën dhe të rajonit. Ai thekson se mirëpret dhe mbështet prioritetet e përcaktuara nga qeveria për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

    Në përmbyllje të urimit, kryeministri britanik shpreson që rezultati historik nga zgjedhjet e 14 shkurtit do të ofrojë mundësi të reja për Kosovën për progres në dialogun me Serbinë. Ai rithekson se Britania e Madhe do të vazhdojë të ofrojë asistencë teknike për të mbështetur kryeministrin Kurti në programin ambicioz të reformave.

    Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Abbott biseduan për hapat konkret për bashkëpunimin e mëtejmë mes dy shteteve mike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark