Frenkie de Jong pritet të largohet nga Barcelona në një të ardhme të afërt.
Mesfushori holandez nuk ka dhënë sa duhet në “Camp Nou”, por jo gjithçka ishte për fajin e tij, duke e pasur parasysh krizën në të cilën kaloi gjiganti katalunas që prej fillimit të pandemisë.
E tash, gazetari sportiv Gerard Romero njofton se përfaqësuesi holandez do të largohet dhe lajmi zyrtar mund të arrijë ende pa përfunduar mirë sezoni aktual.
Destinacioni i tij, pa kurrfarë diskutimi do të jetë Manchester United, përcjell “Gazeta Express”.
Romero i ka dhënë mundësi të lartë prej 95% këtij transferi, duke shtuar se ai mund të mbyllet për 70-80 milionë euro në më së shumti 20 ditët e ardhshme.
Barça e kishte transferuar lojtarin nga Ajaxi për 86 milionë euro në vitin 2019.
Ai pritet të ribashkohet me ish-trajnerin tek gjiganti holandez, Erik ten Hag, ndërsa Barça do të ketë lojtarë të mjaftueshëm në mesfushë si Gavi, Pedri, Sergio Busquets dhe përforcimi më i ri, Frank Kessie.
Gjatë tri sezoneve me klubin, De Jong i ka bërë 138 paraqitje, i ka realizuar 13 gola dhe i ka bërë 17 asistime.
Duke e pasur parasysh se është veç 24 vjeç, vitet më të mira për holandezin duket se do të jenë përpara tij.