×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kamala Harris betohet si zëvendëspresidente e ShBA-së

    Insajderi
    20 January 2021 - 17:53

    Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, bëri betimin në pozitën e re.

    Harris është nënpresidentja e parë grua dhe me ngjyrë në historinë e SHBA-së.

    Ajo bëri betimin para gjykatëses së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor.

    Pak orë para se të bëj betimin, Harris nderoi gratë që, siç tha, kanë ardhur para saj.

    “Unë jam këtu sot për shkak të grave që erdhën para meje”, shkroi Harris në Twitter.

    Në një video shoqëruese, ajo përmendi nënën e saj, gratë me ngjyrë, gratë aziatike, të bardha, latine, autoktone, të cilat tha se “kanë shtruar rrugën për këtë moment”.

    Harris, 56 vjeçe, ish-prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë ka mbështetur shumë politika të favorizuara nga krahu më i moderuar i Partisë Demokrate që Biden përfaqëson, edhe pse historiku i saj për disa çështje që kanë të bëjnë me krimet dhe çështjet e drogës kanë zemëruar personat me pikëpamje më të moderuara dhe liberale.

    Prejardhja e saj e përzier etnike i ka shkuar Harrisit në favor. Çështja e racizmit ishte një nga temat që dominuan fushatën e vitit 2020, pas vdekjes së një personi në ngjyrë teksa po arrestohej nga policia në Minesota – ngjarje kjo që nxiti protesta mbarëkombëtare dhe thirrje që të bëhen reforma në sektorin e sigurisë.

    Pozita e nënpresidentes, i jep një shtysë Kamala Harris për një nominim për presidente nga partia e saj për zgjedhjet e vitit 2024, nëse Biden – nuk do të dëshirojë që të kandidojë edhe për një mandat të dytë presidencial.

    Vajza e imigrantëve

    Kamala Devi Harris u lind më 20 tetor, 1964, në një familje të shkolluar në Okland të Kalifornisë, në kohën kur kishte trazira racore në Shtetet e Bashkuara.

    Nëna e saj, Shyamala Gopalan, ishte një biologe që kishte emigruar në SHBA për të studiuar në Universitetin prestigjioz të Kalifornisë, Berkeley.

    Babai i saj, Donald Harris, u shpërngul në Kalifornia nga Xhamajka më 1961 për të studiuar ekonomi në Universitetin Berkeley dhe më pas u bë profesor në Universitetin Stanford, një tjetër universitet prestigjioz amerikan.

    Ata u takuan si aktivistë për të drejtat civile në Berkeley, universitet që njihet për aktivizëm politik. Ata pas disa vjetësh patën vajzën e tyre të dytë Maya, para se të divorcoheshin. Harris, kur ishte fëmijë shkonte në shkollë me autobus në një lagje të banuar nga të bardhët në Kaliforni dhe më pas ajo u zhvendos në Kubek të Kanadasë, ku jetoi me nënën dhe motrën e saj.

    Harris u rikthye në Shtetet e Bashkuara për të vijuar studimet në Universitetin Howard, një institucion i ndjekur nga personat me ngjyrë në Uashington. Aty, ajo kreu studimet për ekonomi dhe shkenca politike. Më pas, ajo shkoi në Universitetin e Kalifornisë, ku më 1989 diplomoi për juridik.

    Shumë shpejt, Harris bëri emër në komunitetin e drejtësisë në Kaliforni, ku më 2003 u zgjodh prokurore e qarkut të San Franciskos. Një vit më vonë ajo u përball me zemërimin e forcave të sigurisë, pasi ajo refuzoi që të kërkonte dënim me vdekje për një anëtar të një bande, i akuzuar për vrasjen e një zyrtari policor.

    Gjatë shtatë vjetëve të punës si prokurore në San Francisko, nga 2004 deri më 2011, Harris tregoi se është e ashpër në veprat kriminale, duke bërë që të rriten niveli i të burgosurve për krime të lidhura me drogën dhe krime të tjera të rënda.

    Ashpërsia e saj e treguar për rastet kriminale i ndihmoi asaj që të zgjidhej prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë më 2010. Nga kjo pozitë, ajo mbikëqyri punën e rreth 5,000 avokatëve.

    Njëri nga kundërshtarët e saj demokrat, përfaqësuesi Tulsi Gabbard, e ka kritikuar Harris për numrin e madh të njerëzve që ka dënuar me burg për posedim të marihuanës gjatë punës së saj në Kaliforni, teksa vetë Harris ka pranuar se e ka provuar marihuanën.

    Që atëherë, përdorimi i marihuanës për rekreacion është legalizuar në Kaliforni. Pasi fillimisht kishte kundërshtuar këtë gjë, Harris më pas u bë mbështetëse e dekriminalizimit të kanabisit, që është bërë një element kyç në thirrjet e saj për reformë kombëtare në sistemin e drejtësisë.

    Harris u zgjodh anëtare e Senatit amerikan në nëntor të vitit 2016, duke u bërë gruaja e dytë me ngjyrë në historinë amerikane që fitoi ulëse në Dhomën e Lartë të Kongresit.

    Ajo u bë e njohur për pyetjet e vështira që i parashtroi anëtarëve të kabinetit të ish-presidentit Donald Trump. Ndër ngjarjet më të famshme në këtë drejtim janë pyetjet e vështira që ajo i bëri prokurorëve të Përgjithshëm, Jeff Sessions dhe William Barr gjatë paraqitjeve të tyre para Senatit, por edhe ndaj Brett Kavanaugh, në kohën kur ai ishte i nominuar për Gjykatën Supreme.

    Republikanët kanë tentuar që ta cilësojnë Harrisin si anëtare “radikale” të Partisë Demokrate, në përpjekje që të fitojnë më shumë mbështetje në mesin e votuesve të moderuar dhe atyre të pavarur. Ata kanë vënë në pah kundërshtimin që ajo i ka bërë “fracking”, një metode kundërthënëse e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror, ku përfshihet injektimi i lëndëve në tokë. Republikanët po ashtu kanë pretenduar – pa dhënë dëshmi – se Harris, jo Biden, do të jetë ajo që do të udhëheqë në Shtëpinë e Bardhë.Për këto pretendime, ata nuk kanë dhënë asnjë dëshmi.

    Që prej viteve të 50-ta, pesë nënpresident fituan nominimin e partive të tyre për të garuar për president, përfshirë Richard Nixon, Walter Mondale, George H. W. Bush, Al Gore dhe Joe Biden. Nixon, Bush dhe Biden dolën fitues në garat e tyre presidenciale.

    Që prej vitit 2014, Harris është e martuar me avokatin Douglas Emhoff, i cili ka një djalë dhe një vajzë nga një martesë e mëhershme. /Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark