×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Kamuflohej si picier në restorant, ky është bosi tjetër i lartë i mafias italiane që u kap

    Insajderi
    03 February 2023 - 09:20

    Një mafioz italian në arrati që nga viti 2006, i dënuar për disa vrasje, është kapur në Francë, pasi u zbulua se ishte kamufluar duke punuar si picier në një restorant.

    Edgardo Greco u arrestua në Saint-Étienne, duke shënuar arrestimin e dytë në pak kohë të një profili të lartë mafioz nga autoritetet italiane.

    Matteo Messina Denaro ishte në arrati për 30 vjet, kur u ndalua gjatë një vizitë në një klinikë në Siçili gjatë muajit janar.

    Të dy personat ishin në kërkim për kryerjen e vrasjeve të tmerrshme në vitet 1990.

    Ndërsa Messina Denaro ishte “bosi i bosëve” për Cosa Nostra-n famëkeqe të Siçilisë, Greco ishte pjesë vrasësve të krimit të organizuar që njihet me emrin ‘Ndrangheta’ në Kalabri.

    Ndrangheta tani janë mafia më e fuqishme në Itali dhe tentakulat e tyre shtrihen në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut.

    Greco, 63 vjeç, ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë një “lufte mafioze” mes dy bandave në fillim të viteve 1990.

    Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo u rrahën për vdekje në qytetin e vogël të Kozencës në janar 1991. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.

    Kur një gjykatës lëshoi ​​një urdhër arresti për të në vitin 2006, Greco ia doli të arratisej dhe të fshihej për 17 vite.

    Tetë vjet më vonë, ai u vendos në qytetin francez të Saint-Étienne, në jug-perëndim të Lionit, duke nisur punë picier në një restorant italian.

    Greco mori një identitet të ri, duke e quajtur veten Paolo Dimitrio.

    Por në korrik 2021, ai ishte mjaft i sigurt për pseudonimin e tij të ri, saqë u shfaq në një artikull të gazetës lokale, duke u mburrur me “recetat rajonale dhe të bëra në shtëpi” të restorantit të tij.

    Greco, duke përdorur emrin e një krimineli nga Pulia në juglindje të Italisë, tani kishte një mjekër gri dhe syze.

    Megjithatë, ai ndiqej ende nga prokurori më kryesor i antimafias në Itali, Nicola Gratteri, i cili ka shpenzuar dekada duke luftuar ‘Ndrangheta-n’. Prokurori mundi të binte në gjurmët e Grecos dhe të bënte arrestimin e tij./Euronews/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark