×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Kandidati i majtë Castillo fiton në Peru zgjedhjet presidenciale

    Insajderi
    11 June 2021 - 14:06

    Pedro Castillo, kandidat i majtë, fitoi zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 6 qershor në Peru.

    Sipas të dhënave më të fundit të lëshuara nga Zyra Kombëtare e Proceseve Zgjedhore (ONPE), në raundin e dytë të zgjedhjeve, ku garuan dy kandidatët që morën më shumë vota në raundin e parë më 11 prill, kandidati i majtë i Partisë së Lirë të Perusë, Castillo, mori 8.804.439 vota, ose 50,19 për qind.

    Sipas rezultateve paraprake, nga 100 për qind të votave të numëruara, kandidatja e krahut të djathtë e Partisë së Forcës Popullore, Keiko Fujimori, u radhit e dyta me 8.735.472 vota, ose 49,80 për qind.

    Në rezultatet e para të shpallura nga ONPE, Fujimori fillimisht u radhit e para me 52,46 për qind të votave, por Castillo arriti ta kalonte atë me një diferencë të vogël me përfshirjen e kutive të votimit të hapura në zonat rurale në sistem.

    Edhe pse nuk është ende e qartë se kur do të shpallen rezultatet zyrtare, mbështetësit e Castillo-s filluan festimet duke deklaruar fitoren.

    Nga ana tjetër, Fujimori njoftoi se do të kundërshtojné afërsisht 200 mijë vota në 86 kuti votimi, duke pohuar se kishte mashtrim në zgjedhje.

    Në një deklaratë, Castillo theksoi se do të presin që rezultatet zyrtare të shpallen me qetësi dhe paqe, dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij që të mos bien në provokim.

    Ndryshe, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 11 prill, kandidati i partisë së majtë, Castillo, përfundoi garën në vendin e parë me 19,83 për qind të votave, ndërsa kandidatja e krahut të djathtë Fujimori zuri vendin e dytë me 13,37 për qind.

    Fituesi i zgjedhjeve do të marrë përsipër qeverinë e re më 28 korrik, 200-vjetorin e pavarësisë së Perusë, dhe do të shërbejë në mandatin midis viteve 2021-2026.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark