×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kandidaturat për president do të kenë efekte negative, vështirësojnë edhe arritjen e koalicioneve paszgjedhore

    Insajderi
    24 January 2021 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit për herë të parë përkundër faktit që nuk garohet për postin e presidentit, janë shpallur dy kandidatura për të parin e shtetit. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka paraqitur i pari kandidaturën e tij për këtë post, ndërsa garës i hyri edhe Vjosa Osmani, e cila aktualisht ushtron postin e Presidentit.

    Pavarësisht se Kushtetuta thotë se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe është jopartiak tashmë është bërë pothuajse normale që të bëhet “pazar” me këtë post. Kjo është hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje ndërsa qytetarëve po u kërkohet që të votohet edhe për të parin e vendit.

    Njohës të rrethanave politike vlerësojnë se partitë po përdorin këtë strategji, me qëllim që të rrisin pazarin e tyre negociues. Madje ka nga ata që thonë se sjellja e partive politike për postin e presidentit është edhe jo etike.

    E sipas tyre, zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mund të anashkalonte kriza politike dhe institucionale me të cilat jo rrallëherë është përballur Kosova.

    Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, thotë për KosovaPress se kjo do të vështirësojë edhe më shumë arritjen e koalicioneve qeveritare.

    “Kësaj radhe është pak më specifike sepse në të njëjtën kohë kërkohet nga Kuvendi të zgjedhë edhe qeverinë edhe presidentin dhe, kjo i ka mobilizuar partitë politike që të dalin edhe me kandidatët e tyre për president. Mirëpo, kjo do të ketë efekt negativ për shkak se presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, por zgjidhet nga Kuvendi dhe e dyta, do të vështirësojë arritjen e koalicioneve qeveritare, për shkak se partitë politike do ta kenë si barrierë kur të negociojnë për shkak se do të insistojnë që kandidatët e tyre të jenë për president”, tha Kransiqi.

    Sipas tij, të dy kandidatët për president janë duke garuar në këtë garë për ulëse në Kuvend. Ai thotë se partitë politike duhet të përmbahen nga propozimi i kandidatëve për president.

    Edhe Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se posti i presidentit nuk duhet të vihet në shërbim të një partie.

    “Ajo që mbetet e qartë është që çdo person që të nesërmen do të jetë president i vendit, duhet ta dijë që duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, të të gjitha partive politike dhe, nuk mund ta përfaqësoj një parti politike të veçantë”, thotë ajo.

    E për të shmangur krizat politike dhe institucionale që jo-rrallëherë janë shkaktuar për shkak të këtij posti, Krasniqi thotë se do të ishte më mirë që i pari i vendit të zgjidhej drejtpërdrejt nga populli.

    “Mënyra sesi zgjidhet presidenti kërkohet që të zgjidhet nga deputetët e Kuvendit, të cilët i zgjedh qytetari dhe nuk kemi ende një proces të drejtpërdrejt të zgjedhjes së Presidentit. Ky pozicion është bërë pjesë e pazareve politike dhe na ka çuar në kriza politike dhe institucionale dhe ndoshta zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të mund të anashkalonte këto kriza politike dhe institucionale, të cilat jemi duke i parë në vazhdimësi”, shprehet ajo.

    Se kandidatura e Ramush Haradinajt dhe Vjosa Osmanit për postin e Presidentit është jo etike e thotë edhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija.

    Sipas tij, po bëhet pazar nga ata njerëz që dikur kanë thënë se çështja e presidentit është vullnet i deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës.

    “Sjellja e subjekteve politike, aq më shumë e dy pretendentëve, sa jo etike është edhe një lloj risie në skenën politike të Kosovës, duke marrë parasysh që sistemi i zgjedhjes së presidentit në Kosovë varet prej Parlamentit, rrjedhimisht prej deputetëve që i fitojnë ato mandate, dhe pastaj është në vullnetin e atyre deputetëve që të votojnë dhe ta zgjedhin një president”, thotë ai.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 14 shkurt.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    24 April 2024
    Lajme
    24 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark