×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kardiologu kërkon mbi 100 mijë euro me pretendimin se kundërligjshëm iu ndërpre marrëdhënia e punës

    Insajderi
    20 September 2021 - 17:13

    Mjeku specialist i kardiologjisë Osman Karakaya ka paditur Spitalin Amerikan me pretendimin se në mënyrë të kundërligjshme i është ndërprerë marrëdhënia e punës dhe po kërkon mbi 100 mijë euro kompenism të dëmit në emër të pagave të papaguara.

    Në seancën e së hënës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Florin Lata ka bërë ndryshimin e padisë në kuptimin objektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”

    Ai ka kërkuar nga gjykata që të obligohet e paditura që paditësit në emër të pagave të pa paguara t’ia kompensojë dyfishin e pagave neto në shumën prej 99 mijë e 995 euro e 60 centë, ndërsa në emër të tatimit në pagë shumën prej 10 mijë e 864 euro e 40 centë.

    Ndërsa sa i përket pjesës tjetër të kërkesëpadisë me anë të së cilës kishin kërkuar anulimin e vendimit, ai ka kërkuar nga gjykata që ajo pjesë të mbetet e njëjtë.

    Gjykatësi Dren Rugova vlerësoi se lidhur me ndryshimin e padisë të bërë nga përfaqësuesit e paditësit, duhet t’i jepet mundësia që e paditura të deklarohet. Andaj, i njëjti seancën e radhës e ka caktuar më 20 tetor 2021.

    Ndryshe, në seancë nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i të paditurës, për të cilin gjykatësi Rugova tha se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe se ftesën e kishte pranuar më 27 korik 2021.

    Sipas gjykatësit, i njëjti përmes një parashtrese të dorëzuar në gjykatë më 17 shtator 2021, kishte kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se gjendej jashtë vendit, por kërkesa e tillë ishte kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditësit, avokati Lata, arsyetimin se  e paditura ka pasur kohë të mjaftueshme që të angazhojë një avokat tjetër.

    “Herën e kaluar kemi pasur mirëkuptim dhe nuk e kemi kundërshtuar propozimin për shtyrjen e seancës, mirëpo meqenëse ftesat për këtë seancë i kemi pranuar në korrik konsideroj se e paditura ka pasur kohë të mjaftueshme që të angazhojë avokat tjetër”, tha ai.

    Pas kësaj, gjykatësi Rugova e kishte refuzuar kërkesën e të paditurës, të cilën e kishte bërë më 19 shtator 2021 përmes një parashtrese.

    Arsyetimi i gjykatës ishte se e paditura e kishte pranuar ftesën për seancë më 27 korrik 2021, duke shtuar se i autorizuari i të paditurës nuk ka sjellë prova për të dëshmuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.

    Ndryshe, përmes parashtresës për rregullimin e kërkesëpadisë, të dorëzuar në gjykatë më 28 janar 2021, paditësit Karakaya, ka kërkuar që të anulohet njoftimi për përfundimin e marrëdhënies së punës i datës 17 gusht 2016 me nr.1060 dhe përgjigja e të paditurës e datës 19 shtator 2016 me nr.1105 si të kundërligjshme.

    Po ashtu, përmes kësaj parashtrese, paditësi kishte kërkuar nga gjykata që të obligohet a paditura që atij në emër të pagave të papaguara t’ia kompensojë dyfishin e pagave për periudhën prej 15 gusht 2016 e deri më 31 janar 2017, në shumën prej 110 mijë euro, me kamatë ligjore prej 8%, nga dita e arritjes së pagave për pagesë e deri në pagesën përfundimtare, si dhe të gjitha shpenzimet e procedurës kontestimore.

    Mirëpo pas pranimit të ekspertizës financiare i njëjti ka bërë ndryshimin e lartësis së kërkesëpadisë duke kërkuar që të detyrohet e paditura që paditësit t’ia kompensojë dyfishin e pagave të papaguara dhe atë neto shumën prej 99 mijë e 995 euro e 60 centë, ndërsa në emër të tatimit në pagë shumën prej 10 mijë e 864 euro e 40 centë.

    Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 tetor 2016, paditësi Osman Karakaya, po kërkon nga e paditura American Hospital Kosova, kompensimin e dëmit nga neni 80 paragrafi 1.1. i Ligjit të Punës, për shkak të ndërprerjes së njëanshme të kontratës në kundërshtim me Ligjin e Punës nga ana e të paditurës.

    Në padi, thuhet se paditësi Karakaya, ka nënshkruar kontratë pune me të paditurën më 24 nëntor 2015, si doktor i kardiologjisë me pagë 17 mijë e 500 euro dhe se kohëzgjatja e kontratës mes palëve ka qenë gjerë më 23 maj 2016, mirëpo e paditura duke shfrytëzuar pozitën e paditësit, më 1 shkurt 2016 i ka ofruar aneksin e kontratës, me kohëzgjatje të kontratës deri më 31 janar 2017 dhe me pagë 10 mijë euro.

    Sipas padisë, më 17 gusht 2016, e paditura i ka dërguar paditësit një njoftim me të cilin e njofton se nuk mund të vazhdojë të punojë pranë të paditurës për shkak se ende nuk është i pajisur me lejen e re të punës.

    Përmes padisë, paditësi pretendon se e paditura ka pasur për obligim të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar lejen e punës për paditësin nga fakti se ajo ka ndërmarrë veprime për punonjësit e tjerë, të cilët ashtu si paditësi ishin shtetas të huaj.

    Andaj, në padi thuhet se paditësi po kërkon edhe kompensimit e fitimit të humbur për shkak se si rrjedhojë e mosnxjerrjes së lejes së re të punës sipas obligimit, që sipas tij,  e ka pasur e paditura, paditësit i është pamundësuar ushtrimi i veprimtarisë si mjek në tërë territorin e Kosovës.

    Mbi bazën e këtyre, paditësi  me padi po kërkon të obligohet e paditura American Hospital Kosova, që atij t’ia kompensojë dyfishin e pagave të pa paguara dhe atë shumën prej 99 mijë e 995 euro e 60 centë, ndërsa në emër të tatimit në pagë shumën prej 10 mijë e 864 euro e 40 centë, me kamat ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore. 

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark