×
  • Lajme
  • Botë
  • Insajderi / Ballina 5

    Karteli meksikan dorëzon pesë anëtarët e grupit të vet pas rrëmbimit të katër shtetasve amerikanë

    Insajderi
    11 March 2023 - 17:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Raportimet nga qyteti kufitar meksikan Matamoros thonë se një grup i ndarë i Kartelit të Gjirit, i quajtur Grupi Scorpions, ka kërkuar falje për rrëmbimin e katër shtetasve amerikanë javën e kaluar, duke vrarë dy prej tyre dhe ka dorëzuar njerëzit që thotë se janë përgjegjës.

    Në faqet e tyre të para, shumë nga gazetat e Meksikës publikuan një fotografi që duket se tregon pesë burra të shtrirë me fytyrë përtokë, duart e tyre të lidhura dhe bluzat e tyre të ngritura sipër kokës. Fotografia me sa duket është marrë pasi policia ka mbërritur në vendngjarje, transmeton Telegrafi.

    Grupi Scorpions gjithashtu thuhet se kishin lënë një letër që iu kërkonte falje njerëzve të Matamoros, viktimave amerikane dhe familjeve të tyre dhe një gruaje meksikane të vrarë javën e kaluar kur banda qëlloi mbi një furgon të bardhë me të cilin po udhëtonin amerikanët.

    Associated Press thotë se ka marrë një kopje të letrës nga një zyrtar i zbatimit të ligjit në shtetin e Tamaulipas.

    “Ne kemi vendosur të dorëzojmë ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejt dhe përgjegjës për ngjarjet”, thuhet në letër, duke thënë se të pestë “kishin vepruar sipas vendimmarrjes së tyre dhe mungesës së disiplinës”. Letra gjithashtu akuzon burrat për thyerjen e rregullave të kartelit për “mbrojtjen e jetës së të pafajshmëve”.

    Ndërkohë, një klinikë shëndetësore në Matamoros ku anëtarët e kartelit dyshohet se kanë marrë për mjekim shtetasit e plagosur amerikanë është rrethuar nga policia. Raportet sugjerojnë se katër amerikanët u dërguan atje nga banda, por dy me lëndimet më të rënda – Shaeed Woodard dhe Zindell Brown – vdiqën.

    Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se zyrtarët meksikanë ua kishin dhënë trupat e dy të vdekurve zyrtarëve amerikanë në Matamoros të enjten pasdite dhe eshtrat e tyre iu kthyen në atdhe.

    Dy amerikanë dhe një grua meksikane vdiqën pasi persona të armatosur hapën zjarr në mes të ditës mbi një grup prej katër shtetasish amerikanë menjëherë pasi ata kishin hyrë me makinë në qytetin Matamoros nga Teksasi më 3 mars. Të katër amerikanët më pas u rrëmbyen. Në kohën kur zyrtarët gjetën amerikanët të hënën, dy ishin të vdekur.

    Sulmi ndaj amerikanëve shkaktoi akuza nga politikanët amerikanë, veçanërisht midis republikanëve.

    Disa e përdorën atë për të rritur thirrjet për veprime ushtarake kundër karteleve në Meksikë, një sugjerim që presidenti Andres Manuel Lopez Obrador e hodhi poshtë me forcë.

    Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Meksikë po hetojnë rastin pse anëtarët e Kartelit të Gjirit rrëmbyen katër të huajt, duke besuar se ata po shkelnin terrenin e tyre, sipas një dokumenti qeveritar të parë nga Reuters.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark