×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Kasapolli me propozim madhor: Kelmendi kryetar e KOK-ut, epoka e zhvatësve dhe Hasanit ka përfunduar

    Insajderi
    18 January 2021 - 23:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komiteti Olimpik i Kosovës për 24 vite “sundohet” nga një person i vetëm, e ai është Besim Hasani. Hasani që nga viti i largët 1996 është kryetar i KOK-ut dhe dëshira edhe për një mandat tjetër nuk i është shuar. Ai përsëri ka vendosur të kandidojë por kësaj radhe nuk do ta ketë lehtë si në zgjedhjet e kaluara, pasi për kandidant do ta ketë Ismet Krasniqin. Krasniqi është kryetar i Federatës së Karatesë dhe ka shpallur kandidaturen e tij. Hasani po ashtu është nga sporti i karatesë. Për gjatë 24 vjetëve, Hasani ka pasur një qeverisje komode, madje ka shpikur sporte inekzistente, një “mençuri” për të prodhuar vota e delegatë në kuvendin e KOK-ut, për t’i përdorur për nevojat e tij, e që në fakt janë përdorur për të vazhduar “sundimin” e tij me KOK-un.

    Arbnor Luta

    Insporti ka zhvilluar një bisedë me doajenin e gazetarisë sportive, Agim Kasapollin, i cili me vite të tëra ka qenë kundërshtari më i madh i padrejtësisve e dallaverëve në KOK e Federata të ndryshme, madje shumë herë ka qenë i vetmuar në këtë drejtim.

    Kasapollin në këtë bisedë ka shprehur shqetësimin e tij në rast të zgjedhjes edhe për një mandat tjetër të Besim Hasanit, si kryetar i Komitetit.

    Unë jam ndër kritikët më të fortë ndaj KOK-ut, praktikisht KOK ka funksionuar siç e dimë në mënyrën më të keqe që mundet me funksionuar. Një njeri i cili që 24 vite e mban një post dhe përsëri tenton të konkurrojë, ajo flet më së miri. Situata në Komitetin Olimpik të Kosovës, dihet aty mbretërojnë feudit, aty nuk ka lidhje me demokraci, me zgjedhje. Të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur kanë qenë të kurdisura. 60 vjet na këtu nuk kemi pasur zgjedhje të lira në Federata dhe Komitetit Olimpik, të gjitha kanë qenë improvizime dhe ende vazhdojnë të jenë të tilla”.

    Kasapolli thotë se zgjedhjet në disa Federata janë bërë vetëm sa për të thënë, sepse të gjitha janë improvizime. Shqetësimi tjetër i tij është ardhja e një personi nga politika, i cili mban pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj.

    Sipas gazetarit Kasapolli, sekretari është vetëm person administrative dhe nuk ka drejt vote.

    “Mirëpo, të gjitha këto zgjedhje që po tentohen të bëhen, në disa Federata, si për shembull në atë të mundjes, prapë janë improvizime. Sepse, qëndrimi i këtij njeriu (Besim Hasani) për 24 vjet dhe ardhje e Sekretarit të Përgjithshëm (Shasivar Haxhijaj), merreni me mend voton sekretari, personi administrativ dhe askush nuk është në gjendje të reagojë për këtë dukuri. Kjo flet më së miri për gjendjen në KOK”.

    Fundi i Besim Hasanit si kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës

    Kritika e radhës nga Kasapolli në drejtim të KOK-ut është se zgjedhjet që i kanë dhënë mandat Besim Hasanit kanë qenë të kurdisura.

    ““Ai fundin e ka pasur moti, mirëpo fal atyre njerëzve që janë brenda, të  deleguarit nga federatat, ai ka qëndruar dhe fal sporteve që ky (Besim Hasani) i ka shpikur inekzistente, të cilat nuk funksionojnë nuk kanë aktivitete, i kanë njerëzit në mbledhje si delegat dhe për këtë ai ka qëndruar kaq gjatë. Që do të thotë se krejt kuvendet kanë qenë të kurdisura.

    andidimi i Ismet Krasniqit për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës në sytë e Kasapollit

    Kundërshtari i Besim Hasanit për të parin e KOK-ut në këto zgjedhje do të jetë Ismet Krasniqi.

    Për Kasapollin, kandidimi i tij është shumë i mirëseardhur dhe i duhur.

    “Sa i përket këtij ardhjes së Ismet Krasniqit. Ai është një punëtor shumë i vyeshëm, është një njeri i dëshmuar, njëri i mirë dhe punëtor, ka kontribuar shumë në karate edhe ka dhanë shumë, sidomos në pesë vitet e fundit, e ka senzibilizu çështjen e karatesë. “Të gjitha përpjekjet e tij janë shumë në rregull, unë thashë vlerësimin për të. Mirëpo, unë e kam një propozim tjetër, për të cilin po flas për herë të parë. Unë e kam një propozim, që mendoj se do të bënte një sensacion të dorës së parë, jo për Kosovën sa për Evropën. Propozimi im është që së pari në të gjitha Federatat Sportive edhe sidomos në Komitetin Olimpik të Kosovës, të zgjedhën njerëzit në mënyrë të përkohshme me mandat një vjeçar. Çfarë detyre kanë këta persona? Ata kanë detyrë që të bëjnë riorganizimin në baza, sepse krejt këto parregullsi që po vijnë në Komitet dhe Federata po vijnë për shkak të parregullsive që po ndodhin në bazat deleguese. Të jetë një klub dhe vetëm një njeri e përfaqëson atë klub, ai vjen e përfaqëson atë klub si delegat, ndërsa ky (Besim Hasani) e blenë. Që do të thotë këta duhet të sakrifikohen, siç jemi sakrifikuar ne gjatë okupimit serb, me luftuar, me bë organizimin prej bazës deri në federata. Kurrë mos me na ndodhë ma pa kundër kandidat me u zgjedh kryetari. Kurrë nuk duhet me na ndodhë ma që me dal pa program e CV. Na sot kemi njerëz eminent edhe në futboll. Kush është Besnik Hasi, i cili mundet me udhëheq në Greqi, Emiratet e Bashkuara edhe në Belgjikë me u shpalla kampion me alamet ekipe, por na kanë ardhur disa njerëz jashtë sportit. Pasi kalon mandati një vjeçar, atëherë duhet të thirren kuvendet dhe të bëhen zgjedhjet tamon siç duhet”.

    Propozimi madhor i Kasapollit: Majlinda Kelmendi kryetare e Komitetit Olimpik të Kosovës

    Kasapolli ka një propozim tejet interesant se kush do të duhej të merrte pozitën e të parit të KOK-ut.

    Ai thotë se është momenti dhe koha që të emërohen njerëzit eminent të sportit në pozita të rëndësishme.

    Propozimi i tij është që Majlinda Kelmendi të bëhet kryetare e KOK-ut duke u votuar në mënyrën plebishitare.

    Kasapolli mendon se Kelmendi është e kualifikuar mjaftueshëm për këtë pozitë, flet gjuhë të huaja dhe i ka dyert e hapura, ashtu siç i kishte edhe presidenti i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri.

    “Mendimi im është që në Komitet Olimpik në mënyrë plebishitare me emëru Majlinda Kelmendin kryetare të Komitetit Olimpik. Ajo është në fund të karrierës, në Tokyo do të mbahen lojërat olimpike, është 30 vjeçare. E ka përfunduar karrierën edhe me qit në mënyrën plebishitare një femër e cila flet dy gjuhë të huaja, është profesoreshe e kulturës fizike, është intelektuale, është e dëshmuar dhe të gjitha dyert i ka të hapura në Evropë, njëjtë si rasti i Fadil Vokrrit në FFK që kishte dyert e hapura. Kjo është pesë herë si sportiste më e madhe, këtë nuk mundet me mohu askush. Nëse Majlinda refuzon që të vihet në mënyrën plebishitare, e kemi Rita Zeqirin e cila ka qenë notare ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike, është e shkolluar dhe flet gjuhë të huaja. Te ne në Kosovës është dëshmuar pas luftës se vajzat po kanë rezultate shumë të mëdha, e pse nuk duhet që me ardh ajo me ulë, nëse nuk do Majlinda, Rita mundet. Edhe Ismet ka hapësira të jetë pjesë e bordit, edhe vetë duhet të luftojë që të sjellë njerëz eminent në KOK. Epoka e zhvatësve ka përfunduar, epoka e dallaverxhive, manipulatanëve, nëse duam që të ecim përpara, duhet që krejt këta t’i thonë lamtumirë. A e keni vërejtur Komiteti Olimpik nënkryetar e ka emëruar kryetarin e FFK-së (Agim Ademi). Kryetari i FFK-së  ka shumë punë rreth futbollit, e ai shkon e emëron nënkryetar, vetëm te ne ndodhë, as në Bjellorusi, as Moldavi nuk ndodhë”.

    Besim Hasani kishte arritur që të ndryshonte statusin e KOK-ut, me votat e kuvendarëve, vetëm që të qëndrojë në pozitën e kryetarit për dy dekada e gjysmë.

    Ai edhe tani ka tentuar të shtyjë zgjedhjet, por nuk ia ka arritur qëllimit, pasi tashmë ndryshimi është i pa evitueshëm. Guximi dhe kandidimi i Ismet Krasniqit ka bërë edhe delegatë të ndryshim të guxojnë e të votojnë kundër Hasanit. Zgjedhjet e reja do të mbahen më 31 mars të këtij viti. Hera e fundin kur ishin mbajtur është më 21 dhjetor i 2016. /Insporti.com/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark