×
  • Lajme
  • Insajderi

    Katër ministri me asnjë cent investime kapitale për 6 mujorin e parë të vitit 2022

    Insajderi
    13 August 2022 - 17:48

    Lidhja Demokratike e Kosovës njofton se katër ministri e kanë 0% realizimin e buxhetit për investime kapitale.

    Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit.

    “Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”, thuhet në njoftimin e LDK-së

    Në vijim gjeni të dhënat konkrete për mosrealizimin e investimeve kapitale nga Qeveria:

    – Ministria e Ekonomisë, me buxhet vjetor për investime kapitale prej 16,154,144 euro i ka shpenzuar 0 % . Ekonomia nuk e duron populizmin, sepse gjithçka që shumëzohet me zero – zero mbetet.

    – Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 4,470,000 euro, realizmin e ka zero. Pra, Qeveria zgjedh të investojë zero për Industrinë, zero për Ndërmarrësinë dhe zero për Tregtinë.

    – Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal kanë realizuar 0% buxhet për investime kapitale. Kështu që, 38 komuna kanë zero realizim në investime kapitale.

    – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nga 103,291,413 euro ka arritur te realizojë vetëm 1% ose 587,211 euro. Për 47 projekte të rëndësishme realizimi është zero.

    – Është kontradiktore dhe e çuditshme se si kryeministri një javë më parë përmendte luftën, ndërsa investon vetëm 5% të buxhetit për investime kapitale në Ushtrinë e Kosovës. Do të thotë nga 53,936,000 euro për investime kapitale, Ministria e Mbrojtjes ka ekzekutuar vetëm 2.820.457 euro, duke e lënë kështu Ushtrinë e Kosovës pa armatim, pa pajisje dhe pa sisteme të mbrojtjes.

    – Fatin e ngjashëm e ka edhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast realizon vetëm 12% nga buxheti prej 44,139,003 euro për vitin 2022. Në këtë mënyrë, qeveria duke mos i përdorur mjetet financiare që i ka në dispozicion nuk po i përmirëson kushtet e punës për policët e Kosovës.

    – Në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre, dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve, janë shpenzuar vetëm 5 % nga buxheti, më saktësisht, nga 10,063,000 euro janë shpenzuar vetëm 530,702 euro. Me këtë rast, paaftësia qeverisëse po e dëmton rënd shëndetin e qytetarëve.

    – MASHT ka realizuar vetëm 10 % të buxhetit total për investime kapitale, pra vetëm 2,673,482 euro nga 27,597,054 euro sa ishin paraparë gjithsej. Ndër të tjera nuk ka realizuar asnjë investim në ndërtimin e çerdheve të planifikuara, gjersa 5 milion euro qëndrojnë të pashfrytëzuara në 6 mujorin e parë të vitit të dedikuara për çerdhet.

    – Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga buxheti për investime kapitale, në vlerën prej 209 milion euro i ka shpenzuar vetëm 21,611,218 euro, ose vetëm 15%.

    – Ndërsa nga 20,710,000 euro për investime kapitale për Rini, Kulturë e Sport, Ministria, ka realizuar vetëm 7%.

    – Ministria e Bujqësisë nga buxheti për investime kapitale, prej 6,140,769 euro ka realizuar vetëm 9%, pra edhe të mirat e tokës sonë janë të dënuara me 0 investime kapitale.

    – Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, ka shpenzuar vetëm 2% nga 10,995,000 euro të buxhetit për investime kapitale. Kjo ngecje në implementim është kosto që dëmton përfaqësimin tonë si shtet jashtë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark