Trepça nuk ka lejuar befasi në ndeshjen ndaj Istogut. Pas barazimit 48:48 në pjesën e parë, mitrovicasit shpërthyen në pjesën e dytë për fitoren bindëse, 112:82. Ndeshja e së dielës në “Minatori” i takoi xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Çereku i tretë ishte vendimtar. Dhjetëminutëshin e tretë mitrovicasit e fituan 37:14. Ndërkohë çereku i katërt përfundoi 27:20 për Trepçën.
Drilon Hajrizi udhëhoqi Trepçën me 34 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime. Darnell Edge i kishte 22 pikë, shtatë kërcime e dhjetë asistime. Tek Istogu më i miri ishte Arian Azemi me 25 pikë, nëntë asistime e pesë kërcime. Trepça tani i ka 14 pikë në pozitën e dytë. Ka vetëm një pikë më pak se Peja. Istogu ka pësuar humbjen e shtatë, ndërsa ka nëntë pikë në pjesën e poshtme të tabelës.