×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërcënimi i grupit të Zharkut: “Do të derdhet gjak, do të hapen varre”

    Insajderi
    30 April 2018 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një kuadër politik i Partisë Demokratike të Kosovës ka arritur që për gjashtë vjet të ikë nga burgu. Për pak ditë, Xhabir Zharku mund të kthehet i lirë në Kosovë, pasi dënimi ndaj tij ka arritur fazën e parashkrimit.

    Pavarësisht se nuk shkoi në burg, ish-kryetari i Kaçanikut është një kriminel i dënuar i cili me anë të kërcënimeve kishte detyruar dy biznesmenë nga Kaçaniku të hiqnin dorë nga një pronë e privatizuar dhe t’ia dorëzonin njeriut të Zharkut.

    Insajderi sjell historinë e veprimeve kriminale të Zharkut.

    Fiks dy vjet Xhelil Suma ka qenë i kërcënuar me jetë nga grup i udhëhequr nga Xhabir Zharku. Zharku donte që Suma bashkë me partnerin e tij, Shefket Luri të tërhiqeshin nga blerja e një ferme delesh prej 32 hektarësh në fshatin Rakaj të Kaçanikut.

    Dikur ishte dorëzuar. Kishte pranuar që 28 hektarë të blera në privatizim t’ua jepte njerëzve të Zharkut. Ndryshe, do të kishte gjak dhe varre.

    Të gjitha përjetimet Suma i kishte shkruar në një ditar. Atë e kishte shpalosur para një trupi gjykues që e kishte dënuar Zharkun për veprën penale të detyrimit.

    Zharku kishte pozitën e kreut të grupit në përbërje të të cilit kishte edhe vrarës. Ai bashkë me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin, Fikri Hasanin, Afet Dalloshin, Nysret Cenën dhe Nesim Currin, e kishin detyruar Sumën të tërhiqej nga prona e tij.

    Fermën e deleve, Xhelil Suma e kishte blerë bashkë me Shefket Lurin në valën e 16 të privatizimi në vitin 2006.

    “Kam qenë i përfshirë në tender në vitin 2006. Jam shpallur fitues në gusht të 2006. Jemi marrë vesh me Shefketin për me konkurru në AKM. Depoziti ka qenë 51 mijë euro ndërsa na i kemi paguar 32 mijë euro. Më 27 jam njoftuar se kam qenë i suksesshëm në tender”, kishte dëshmuar Suma para gjykatës.

    Suma kishte rrëfyer për takimet dhe telefonatat e Xhabir Zharkut.

    “Më 27 kemi qenë të shpija në kopsht me Shefketin, vllaun Azemin dhe vëllaun tjetër të vogël Fadilin. Diku në orën e mbrëmjes Xhabir Zharku i ka telefonuar Shefketit dhe ka kërkuar një takim. Kemi lënë një takim në restorant ‘Niki’ në Ferizaj dhe aty jemi takuar”, kishte thënë Suma për të treguar se në atë takim kanë qenë thuajse të gjithë të akuzuarit.

    “U hap tema e tenderit. Biseduam, u ngritën tensionet. Ka qenë nervozë e madhe, jemi sha mes veti. Ata (të akuzuarit v.j.) kanë kërkuar të tërhiqemi nga ferma, nga tenderi. Po ne nuk jemi tërhjek. Më pas u çun ecën për në Kaçanik. Ne shkuam në polici”, kishte thënë ai.

    Suma ishte kërcënuar se nëse nuk tërhiqej nga tenderi, “do të kishte gjak e varre”.

    “Xhabiri tha nuk mundeni me marrë tokën. Do të çelen varre aty… Xhabiri tha se nëse doni me marrë atë tender ju duhet me hap varre. Unë e kam marrë si kërcënim dhe janë nxeh gjakrat. Arsim Kolshi ka thënë se ai tender na takon neve”, kishte thënë Suma.

    Një takim i dytë për këtë cështje ishte mbajtur mes Xhelil Sumës dhe grupit të Xhabir Zharkut.

    Aty kishin shkuar Xhabir Zharku, Arsim Kolshi, Besnik Hasani, Fikri Hasani, Afet Dalloshi, Nysret Cena dhe Nesim Curri. I kishin kërkuar sërish të tërhiqej nga prona por pa kërcënime.

    “Kemi pi nga një lëngë. Ma tregun gjendjen. Si ushtarë të luftës ju thash se mund tua ofroj 5 hektarë falas”, kishte thënë ai duke saktësuar se dikush prej “mysafirëve” kishte pasur armë.

    “Nuk më kujtohet cili ka pas, por e di që kanë pas, se ka qenë verë dhe ju dokshin nër këmisha”.

    Suma kishte thënë se pas takimit të dytë kërcënimet kishin vazhduar nëpërmjet telefonit. Ai kishte treguar se në bisedime ishte përfshirë edhe një person tjetër i quajtur Emrush i cili kishte këshilluar për kompromis. E kompromisi sipas këtij ndërmjetësuesi nënkuptonte shmangien e gjakderdhjes.

    “Emrushi ka thanë se ka mundësi se do ta vrasin Shefketin (partnerin e Xhelil Sumës v.j.) por unë ju kam thanë se prej një pike nuk largohem, prej një prone 4 hektar afër rrugës. Pastaj jemi takuar në restorantin ‘Bas’ në Shkup. Jemi marrë vesh të nënshkruhet një kontratë pas dy tri dite. Kjo marrëveshje ka qenë nga presioni sepse nuk e pash të arsyeshme të kemi problem. Pas dy tri dite më ka thirr Shefketi më ka thanë u tërhoqëm nga tenderi. Më detyruan”, kishte treguar Suma.

    Dëshmitari kishte treguar se një ditë kishte marrë një mesazh telefonik se në ballkonin e shtëpisë së partnerit të tij, Shefket Luri ndodhej një bombë.

    “I kallëzova në telefon Shefketit se në ballkon të shtëpisë është një bombë. Ai ishte në hyrje të Prishtinës dhe më luti që të shkoj tek shtëpia e tij. Kam shkuar atje dhe e kam parë bombën. Më vonë ka ardhur Shefketi, e ka kapur bombën dhe e ka dërguar tek ‘Lepenci’, kishte thënë ai.

    Xhabir Zharku përfiton nga arratia, merret me biznes në Suedi

    Gjykata Supreme kishte vërtetuar në prill të vitit 2011 dënimin prej tri vjetësh burg të Xhabir Zharkut. Me kaq vjet ishte dënuar edhe Arsim Kolshi.

    Besnik Hasani dhe Nysret Cena ishin dënuar me nga një vit e dy muaj burgim.

    Me 1. 500 euro gjobë për armëmbajtje armësh ishte dënuar edhe Zharku të cilit policia ia kishte konfiskuar gati një kamion armë në shtëpi.

    Ish-kryetari i Kaçanikut këtë aktgjykim e kishte cilësuar politik dhe sipas tij nuk meritonte të komentohet.

    Zyrtarët e EULEX-it sipas tij në Kosovë nuk kishin ardhur të “japin sheqer por të bëjnë dënime politike”.

    “Vet e tha edhe gjykatësi që është kontradiktore ku njërën anë akuzohesh për kërcenim dhe në anën tjetër hiqet kërcënimi dhe akuzohesh për detyrim. Do të thotë, u tha edhe aty që është shumë kontradiktore. Merreni gjithë veprën dhe kronologjikisht studione se si kanë rrjedhë gjërat dhe shihet se është politike dhe nuk kam çka komentoj”, kishte thënë Zharku.

    Xhabir Zharku, Afet Dalloshi, Besnik Hasani dhe Nysret Cena ishin dënuar si grup i organizuar. Ata, në mes të periudhës mes datës 26 qershor 2006 dhe 1 gusht 2006 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material për vete apo për të tjerët kishin kërcënuar seriozisht blerësin e një ferme për ta detyruar të heq dorë nga tenderi.

    “Të pandehurit kanë kërcënuar se do t’i vrasin të dëmtuarit Shefqet Luri, Xhelil Syma dhe Aziz Suma nëse nuk tërhiqen nga tenderi i shpallur nga AKM-ja në valën e 16 për një fermë delesh 32 hektarë në fshatin Rakaj të Ferizajt”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë të vërtetuar nga Gjykata Supreme.

    Sipas Gjykatës, gjatë periudhës disa ditëshe nga apo rreth 27 korrikut 2006 deri më 1 gusht 2006 të pandehurit kanë detyruar palët fituese të tërhiqen nga tenderi me anë të kërcënimeve direkte dhe indirekte me vdekje. Si rezultat i këtyre kërcënimeve, viktimat Shefqet Luri, Xhelil Suma dhe Azim Suma janë pajtuar që të tërhiqen duke i dorëzuar interesat e tyre tek Arsim Kolshi ofertuesi i dytë”. Besnik Hasani dhe Nysret Cena e kishin shoqëruar Shefqet Lurin në zyrën e AKM-së në Prishtinë.

    Aty kishte pranuar të tërhiqet nga tenderi duke u dhënë kështu përfitim të madh material të pandehurve.

    Kur policia kishte shkuar për ta bastisur shtëpinë e tij në Kaçanik më 4 nëntor të vitit 2008 kishte gjetur një arsenal të madh armësh. Dy armë automatike “MPT 9” të kalibrit 9×99 milimetra, një pushkë automatike “AK 47”, një pistoletë “Zastava” modeli 99, kalibri 9 milimetra, gjashtë karikator, një sasi plumbash, një mjet shpërthyes, një murtajë 88 milimetra dhe një sasi eksplozivi, i ishin gjetur në shtëpi. Sido qoftë, Zharku nuk e kreu dënimin me burg. Ai ishte arratisur në Suedi. Shteti skandinav nuk e kishte ekstraduar në Kosovë për shkak se një gjë të tillë nuk e lejon kushtetuta e këtij vendi.

    Autoritetet kosovare ndërkaq kishin kërkuar vetëm ekstradim, por jo kërkesë që dënimin ta vuante në Suedi. Gjatë kohës sa Zharku ka qëndruar ne Suedi, ka pritur në takime krerë të PDK-së. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark