×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Këshilli Gjyqësor emëron kushërirën e urryer nga Vjosa Osmani në një post të rëndësishëm

    Insajderi
    03 November 2022 - 22:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Anëtarët e KGJK-së kanë votuar unanimisht për emërimin e gjyqtares së Gjykatës Supreme, Valdete Daka, në pozitën e kryesueses së Panelit për Lirim me Kusht.

    Ku Panel në të ardhmen do të ketë punë me Zyrën e Vjosa Osmanit, Presidentes së Kosovës, sepse ajo i rekomandon lirimet nga burgu të njerëzve të dënuar me burgim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Duket se ky moment do t’i bëjë bashkë Dakën e Osmanin, kushërirat që janë krisur ndërmjet vete.

    Si nisi përplasja mes Vjosa Osmanit dhe Valdete Dakës?

    Presidentja Vjosa Osmani prej kohësh kishte pasur përplasje me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, të cilën e shkarkoi në qershor të vitit 2021 nga detyra.

    Në janarin e vitit të kaluar, ajo kishte paralajmëruar masa ndaj institucionit që organizon zgjedhjet, ndërsa u raportua se edhe si ushtruese e detyrës së presidentes atë kohë, mund ta shkarkonte nga detyra kryetaren e KQZ-së.

    Që para zgjedhjeve të fundit, Osmanit s’i kishte pëlqyer jo vetëm moscertifikimi i listës së kandidatëve të LVV-së për deputetë në zgjedhje, të cilët ishin dënuar në 3 vitet e fundit, përfshirë Albin Kurtin. Osmani ishte irrituar nga deklaratat e Dakës që para se ta shpallte datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Në emër të mbrojtjes së integritetit të KQZ-së, që nga janari i 2021 ishte paralajmërua mundësia që Vjosa Osmani ta shkarkonte atëherë kryetaren e këtij organi, Valdete Dakën, të cilën e ka edhe kushërirë.

    Me një adresim të pazakontë, Osmani kishte paralajmëruar masa ndaj Dakës.

    “Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ-në për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ-së, do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, pati thënë Osmani.

    Mbledhjen e gjatë të KQZ-së ku në fund ishte vendosur që të mos certifikohej lista e LVV-së ku bënte pjesë edhe vetë ajo, Osmani e cilësoi të pahijshme.

    “Ajo çfarë kemi parë dje në KQZ ka qene paprecedentë, e pahijshme dhe e papranueshme për një institucion që duhet të bëj çmos që ta mbrojë integritetin. Në transmetime të drejtpërdrejte u bë presion marramendës ndaj drejtorit të Zyrës për Certifikimin e Subjekte Politike”, thoshte ajo vitin e kaluar.

    Ndryshe, raporti i vëzhguesit të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e 17 tetorit, pati përmendur edhe vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

    Në këtë raport ishte theksuar se vendimi i presidentes Osmani për të shkarkuar ish-kryesuesen e KQZ-së është marrë me 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale, duke thënë se ky vendim nuk është mbështetur në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

    “Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish-kryesuesen e KQZ-së së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, thuhej në raportin e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

    Valdete Daka, e pyetur nëse do t’i ndjekë rrugët ligjore lidhur me shkarkimin e saj nga pozita e Kryetares së Komisionit Zgjedhor pati thënë shkurt se do ta bëjë këtë.

    “Natyrisht, për më shumë do të njoftoheni me kohë”, ka thënë shkurt Daka.

    Vendimi për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së ishte marrë më 14 qershor të vitit 2021 nga presidentja Osmani, e cila e kishte arsyetuar vendimin duke thënë se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe ka pamundësuar balancin e nevojshëm në organin e KQZ-së.

    “Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhej në arsyetim.

    Kujtojmë se mandati shtatëvjeçar i Valdete Dakës do të përfundonte me rregull në vitin 2025, ndërsa ajo kishte udhëhequr këtë organ që nga qershori i vitit 2010.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark