Njohës të rrethanave politike thonë se ideja e shkëmbimit të territoreve, ka bërë që misioni i UNMIK-ut në Kosovë të shihet ende i nevojshëm.
Njohës të zhvillimeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare vazhdimin e raportimit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e ndërlidhin me rrethanat aktuale politike nëpër të cilat po kalon vendi.
Ideja e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi mund të ketë reflektuar edhe në vendimin e disa shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për tërheqjen e misionit të tyre në Kosovë. Prandaj, UNMIK-mbetet në sytë e shumë shteteve si mision i nevojshëm, thotë profesori në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki.
“Fatkeqësisht, si duket iniciativat e fundit në Kosovë për shkëmbim territoresh, për ri-diskutim të statusit, të gjitha temat të cilat dolën këta muajt e fundit, e kanë rikthyer Kosovën në sirtarin e çështjeve të papërfunduara, kështu që duke qenë në sirtarin e ri politik, normal që edhe UNMIK-u mbetet në sytë e shumë shteteve aktual edhe i nevojshëm”, tha ai.
Ndonëse roli i UNMIK-ut sot në Kosovë është i zbehur, ndryshimi, përshtatja ose përmbyllja e mandatit të këtij misioni mund të bëhet vetëm me miratimin e një rezolute të re. Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë për Radio Kosovën se Rezoluta 1244, me të cilën i është dhënë mandati i UNMIK-ut në Kosovë, duhet të zëvendësohet me një rezolutë të re.
“Ndryshimi, përshtatja ose përmbyllja e mandatit të UNMIK-ut bazuar në rezolutën 1244, mund të bëhet vetëm me miratimin e një rezolutë te re, që shfuqizon Rezolutën 1244 dhe sjell në fuqi një rezolutë tjetër”, tha ai.
Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit përmes Rezolutës 1244 në vitin 1999-të.