×
  • Lajme
  • Insajderi

    Këshilli Prokurorial kërkon që qeveria të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit Sallahu

    Insajderi
    25 October 2021 - 17:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka kërkuar nga qeveria që të distancohet nga deklaratat e zëvendësminitrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, i cili tha se vetë prokurorët janë të përfshirë në veprime kriminale.

    “Përkundër bashkëpunimit të deritashëm reciprok në procese të ndryshme me Ministrinë e Drejtësisë, siç janë: rishikimi funksional, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe shprehjes së vullnetit të mirë të sistemit prokurorial për ta forcuar bashkëpunimin në avancim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, deklaratat e fundit, të bëra nga Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili i ka quajtur prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale, e bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndërinstitucional”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial.

    “Andaj, në takimin e sotëm të Grupit punues për ndryshime ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesit e sistemit prokurorial kanë kërkuar nga pushteti ekzekutiv, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë që të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit, distancim ky, që do t’i hapte rrugë bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë institucional”.

    Këshilli Prokurorial e ka bërë të ditur qëndrimin e vet para grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë, duke i quajtur deklaratat e Sallahut  si gjuhë të papranueshme, të paprecedentë dhe linçuese.

    Më poshtë gjeni qëndrimin e sistemit prokurorial, të paraqitur sot para grupit punues të Ministrisë së Drejtësisë:

    “Ndaj një gjuhë të tillë, ne kemi reaguar, ku kemi kërkuar distancim të pushtetit ekzekutiv nga deklaratat e tilla. Ky distancim akoma nuk ka ndodhur dhe kjo nuk krijon hapësirë për bashkëpunim ndërinstitucional dhe e minon skajshmërisht respektin e ndërsjellë”.

    “Është e pakuptimtë që ne të flasim në suaza të respektit, kolegjialitetit dhe mirëbesimit me dikë që i quan prokurorët të involvuar ne veprimtari kriminale”.

    Mosdistancimi nga kjo gjuhë nënkupton paragjykime të atilla që janë krijuar pa bazë dhe janë tendencioze dhe kjo ngrit dilema serioze në qëllimin e vërtetë të sponzorisuesit për të rrënuar pavarësinë institucionale në emër të ndryshimeve dhe reformave ligjore në vazhdën e kësaj është dhe drafti i fundit për ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës”.

    KP-ja ka bërë të ditur se ata nuk do të mund të vazhdojnë të jenë pjesë e këtij grupi nëse nuk ndodh një distancim publik i qeverisë apo i vetë Sallahut nga deklaratat e tij.

    “Andaj, presim një qëndrim dhe reflektim të qartë dhe të bërë publik lidhur me çështjet e ngritura, në mënyrë që të mund të marrin pjesë në këto takime”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark