×
  • Lajme
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Kinemaja me të cilën krenohet Ahmeti shet vetëm ujin e prodhuar në Serbi

    Insajderi
    16 January 2017 - 20:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shfaqur entuziast qysh prej verës së vitit të kaluar kur kishte lajmëruar se në Prishtinë po vjen një nga investimet më të mëdha në fushën e kulturës, kinemanë me shumë salla nga Austria “CinePlex”.

    Kishte shkruar shumë shpesh për këtë kinema duke u krenuar se një investim i tillë ka ardhur në kryeqytet edhe falë punës së administratës që ai e drejton.

    Madje në hapje të kësaj kinemaje, në fund të nëntorit të vitit të kaluar, Ahmeti ishte shfaqur entuziastë duke thënë se “është gëzuar sikur fëmijë”.

    Se Ahmeti dhe Komuna e Prishtinës kanë ndihmuar shumë këtë kompani për t’i krijuar kushte më të mira, tregon edhe fakti se vet kompania e kishte falënderuar atë dhe komunën “për mbështetjen e vazhdueshme” që i ka dhënë “Cineplexx Kosova”.

    ahmeti

    “Në emrin e Komunës së Prishtinës e falënderoj edhe Kompaninë ‘Albi’, por në veçanti ‘Cineplexx’-in, që Prishtinën po e fut në rrjetin e vet, të kinemave Multiplexx, me teknologjinë më të re që mund ta kenë edhe Prishtina edhe prishtinasit, do të jenë në gjendje t’i ndjekin filmat më të ri në teknologjinë më të re në Evropë”, kishte thënë Ahmeti në hapje të kinemasë.

    Por një veprim i kinemasë ka bërë që të ngjallë reagime jo fort të mira tek klientët.

    Në “Cineplex” klientët mund të konsumojnë vetëm ujin e prodhuar në Serbi, “Rosa”.

    cineplex

    Klientë që i kanë shkruar Insajderit kanë treguar se arsyetimi i Cineplex Kosova ka qenë se ky ujë shitet për shkak se ata kanë marrëveshje me kompaninë që distribuon këtë ujë në Kosovë.

    Vet Ahmeti është shfaqur disa herë kundërshtarë i produkteve serbe. Ai njihet si një adhurues i kampanjës “Duaje tënden” dhe madje në nëntor të vitit 2015, Ahmeti kishte dalë vet në një konferencë për media për të kërkuar bojkot të produkteve serbe.

    E në shtator të vitit 2014, aktivistë të Vetëvendosjes, kishin marrë një aksion pikërisht kundër ujit “Rosa”, duke ndërhyrë në billbordet e tyre “Produkt i Serbisë, bojkotoje”.

    rosa

    “Përpos që uji i prodhuar në Serbi “Rosa” ka vërshuar tregun e Kosovës, tash kemi parë që e ka mbuluar edhe qytetin me reklama. Ne jemi këtu për të bërë thirrje që të bojkotohet ky produkt sikur edhe produktet e tjera me barkodin 860”, thuhej në komunikatën e VV-së për këtë aksion.

    “Kurse, sa i përket ujit Rosa, Kosova prodhon ujë. Kosova ka mbi 20 kompani të ujit që duhen mbështetur nga të gjithë ne, e në radhë të parë nga institucionet shtetërore” , thuhej tutje në komunikatë./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark