12:09 - 21 Shtator 2021

Autoritetet kosovare kanë nisur dje aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Por, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, në shenjë pakënaqësie.

Numri i serbëve të mbledhur në vendkalimin kufitar Jarinjë sot në mëngjes është dukshëm më i lartë se dje. Poashtu edhe njësia e ROSU e Serbisë tashme kanë dalur në pikën kufitare në Veri të Mitrovicës.

Ndryshe nga Jarinja situata në pikën kufitare të Merdares është e qetë dhe nën kontroll.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, kapiteni i pikës kufitare në Merdare, Adem Krasniqi, i cili tha se sot ka më pak vetura të cilat po hyn në vendkalimin kufitar në Merdare.

“Situata është kryesisht e qetë dhe pa incidente, poashtu ka ma pak hyrje të veturave nga ana e Serbise”, tha Krasniqi për Insajderin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Pjesëtarë të policisë së Kosovës janë duke qëndruar pothuajse gjithandej zonës së kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut dhe po mbajnë situatën nën kontroll./Insajderi.org