×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Klienti im punon vetë i 13-ti në zyre” – flet avokati i Grudës për “avullimin” e 2 milionë eurove

    Insajderi
    22 October 2020 - 15:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Veton Rrecaj, avokati i Labinot Grudës që dyshohet se vodhi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, është duke akuzuar institucionet e drejtësisë se ndaj klientit të tij nuk është paraqitur asnjë dëshmi apo fakt që dëshmon se ai e ka kryer këtë vepër të paligjshme.

    Rrecaj në një prononcim për Gazetën Insajderi ka arsyetuar klientin e tij, Labinot Gruda, se në pozitën e personit zyrtar i financave në Ministrinë e Financave nuk ka mundur ta kryej transferin prej 2 milionë eurosh, për shkak se në zyrën ku ai punën janë dymbëdhjetë persona, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Sa i përket klientit tim, nuk kanë paraqit ndonjë dëshmi që i njëjti e ka bo këtë transferë të parave. Jo neve nuk na kanë paraqit as dëshmi as fakte mirëpo në aspektin logjik nëse në një zyre punojnë dymbëdhjetë persona, janë 12 kompjuterë, mundet me pas qasje secili në kompjuterë të njëri-tjetrit, duhet me i vërtetu prokuroria kush e paska bo qat bartjen e qatynev mjeteve, jo veç me thon decidivisht i mbrojturi im, klienti im është vetë i 13-ti në zyre”, ka thënë Rrecaj për Insajderin.

    Rrecaj i pyetu nga Insajderi se a posedon ai apo klienti i tij ndonjë dëshmi për të dëshmuar pafajësinë  tij, ka thënë se Gruda sot ka paraqitur disa argumente mirëpo sipas avokatit Gjykata nuk i ka marr parasysh ato çfarë ka thënë klienti i tij.

    “Ai është deklaruar sot në seancë, i ka paraqitur disa argumente, mirëpo gjykata si duket nuk i ka marr parasysh, i ka caktuar masën e paraburgimit qysh po veprohet në shpejtësi këtu në Kosovë. Ne do të paraqesim ankesë dhe besoj që ata kanë kohë pak më shumë e shiku ma mirë”, ka thënë Rrecaj.

    Po ashtu, Rrecaj ka treguar se ka komentuar edhe deklaratën e Ministres së Financave, Hykmete Bajrami e cila tha se në konferencë për media se buxheti i shtetit është i sigurt.

    Rrecaj thotë se nëse ministrja Bajrami ka dhënë siguri për linjat buxhetore janë të sigurta atëherë duhet të dijë se ku janë 2 milionë eurot.

    “Kur thotë pavarësisht kush është ai person, a është ministër, a kush është, secili duhet me u paraqit paraligjit çoftë si dëshmitar ose i dyshimt. Ajo të paktën së dëshmitare duhet me qenë, ajo ka thënë mos të kanë gajle populli, mos të brengosen se linjat e buxhetit janë të sigurta, ku janë të sigurta kur janë transferu 2 milionë, ajo duhet me kallxu pra ku janë qato 2 milionë, ata duhet me thirr, unë i kam propozuar edhe prokurorit që ajo duhet me u thirr si dëshmitare”, ka thënë Rrecaj.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim që Labinot Gruda të qëndroj në paraburgim për tridhjetë ditë për shkak se ka vjedhur nga Thesari i Shtetit 2 milionë euro dhe i transferoi ato në një kompani private.

    Gruda gjatë kohës sa ka kryer këtë vepër të paligjshme ka qenë zyrtar financar në Ministrinë e Financave andaj edhe gjykata me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, përcjell Gazeta Insajderi.

    “Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e ProkurorisëThemelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit L.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një)  muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 gjerë me datë 20 nëntor 2020”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

    Labinot Gruda dyshohet se më nëntë tetor të këtij viti në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euronë adresë të një kompanie,me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar.

    Burime të Insajderit brenda autoriteteve të drejtësisë, kanë bërë të ditur se 2.077.995.90 euro nga Thesari i Shtetit kanë kaluar në llogarinë e kompanisë private “LDA Group”.

    Sipas të njëjtave burime, gazeta ka mësuar se pas ekzekutimit në xhirollogarinë e “LDA Group”, mjetet pastaj janë transferuar në disa kompani të tjera.

    “LDA Group” është pronë e Valon Shalës, sipas të dhënave publike të cilat figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

    Kompania ka bazën në Komunën e Drenasit, konkretisht në fshatin Llapushnik të kësaj komune.

    Bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK, kompania “LDA Group” është regjistruar si biznes më 21 gusht të vitit 2019, raporton Gazeta Insajderi.

    Në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.org, thuhet se i dyshuari Labinot Gruda, me datën 09.10.2020 në intervalin kohor oprej orës 12:11 deri në orën 12:19 nga zyra e tij ka krijuar usera të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Thesarit për transaksionin e 2 milionë eurove në llogarinë e kompanisë private.

    “Ky kusht është përmbushur me faktin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehiru ka kryer veprën penale e cila i vihët në barrë me këtë kërkesë, gjë që argumentohet me faktin se si person zyrtar me qëllim të përfitimit për vete dhe tjetrit, me datën 09.10.2020 në intervalin kohor prej orës 12:11 deri në orën 12:19 nga zyra e tij në Ministrinë e Financave-thesari i Kosovës duke krijuar Usera të ndryshëm që duken si usera të punëtorëve të Minsitrisë së Infrastrukturës dhe të njëjtat i ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme ka realizuar katër transaksione në vlerë të përgjithshmë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 cent, në llogarinë bankare të kompanisë “LDA Group” Sh.P.K”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark