×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Komisioni i Venecias “godet” pushtetin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë

    Insajderi
    08 December 2022 - 21:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komisioni i Venecias ka dhënë komentet e saj lidhur me amendamentet e Projektligjit e Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ishte drejtuar këtij komisioni në fillim të nëntorit të këtij viti.

    Komisionin i Venecias përmes opinionit të saj ka shprehur dyshimet se krijimi i projektligjit dhe byrosë për konfiskimin e pasurisë do të ndikonte në luftimin e korrupsionit.

    “Është e dyshimtë nëse krijimi i një organi të ri do ta bënte me të vërtetë më efektive luftën kundër korrupsionit – apo nëse do të ndërlikonte më tepër të gjithë sistemin, i cili tashmë përfshin një sërë organesh si policia, prokuroria, autoritetet doganore dhe Agjencia Kundër Korrupsionit”, thuhet në përfundimet e nxjerra nga Komisioni i Venecias.

    Tutje aty shtohet se Projektligji dhe Byroja për Konfiskimin e Pasurisë duhet të jenë në koordinim me sistemet ekzistuese në deklarimit të pasurisë,.

    “Në çdo rast, duket qartë se sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të kombinohet në një farë mënyre me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, i cili është në duart e Agjencisë Kundër Korrupsionit”, shkruhet tutje.

    Megjithatë vërejtjet e Komisionit të Venecias për projektligjin për konfiskimin e pasurisë vazhdojnë, raporton Paparaci.

    Sipas dokumentit të cilin e ka parë Paparaci, në këtë projektligj Komisioni i Venecias po e konsideron si te ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut.

    “Për më tepër, duhet theksuar se një legjislacion i tillë i ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut siç propozohet në projektligj është i pranueshëm vetëm nëse ndërtohet mbi një mekanizëm të pavarur me të gjitha fuqitë dhe burimet e nevojshme për të luftuar efektivisht kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimi i organizuar. Projekt-dispozitat aktuale janë të pamjaftueshme në këtë drejtim”, thuhet në opinion e Komisionit të Venecias, transmeton Paparaci.

    Në rekomandimet e saj Komisioni i Venecias ka theksuar se për formimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë duhet të sigurohet personeli i specializuar për këtë çështje.

    “Rishqyrtimi i nevojës dhe dobisë për krijimin e një organi të ri, Byrosë, dhe në rast se kjo qasje ruhet; a) sigurimin e garancive të forta të pavarësisë së Byrosë dhe b) sigurimin e Byrosë me një numër të mjaftueshëm të personelit të specializuar dhe me kompetencat e duhura”, shkruhet në njërin nga komentet e këtij komisioni.

    Ndërkaq, në rekomandimin e radhës ky komision kërkon që byroja të paraqet prova të arsyetuara me të cilat mund të dëshmoj për pasuri të paligjshme.

    Tutje sipas dokumentit që parë ky Komision rekomandon që të futen garanci më forta për të drejtat e njeriut që përfshijnë këto pika:

    a) Të specifikoj se vendimi për fillimin e procedurës së verifikimit të paktën t’i komunikohet palës në procedurë dhe t’i nënshtrohet mjetit juridik;
    b) Të sigurojë që deklaratat e bëra dhe dokumentet e dhëna detyrimisht nga pala në një proces civil të mos përdoren kundër saj në një proces penal;
    c) Të bëjë të qartë se familjarët e të akuzuarit synohen vetëm si “palë e tretë”;
    d)  Të shqyrtoj dispozitën se personat fizikë dhe juridikë mund të detyrohen nga gjykata të bashkëpunojnë me Byronë;
    e) Të rregullojë se si identifikohen “të tretët që kanë interes juridik” dhe cilat janë të drejtat e tyre në procedurën e verifikimit dhe konfiskimit;
    f) Të sigurojë që personat e përfshirë nga konfiskimi të mos privohen nga të gjitha pasuritë;
    g) Garantimin e kompensimit të dëmeve të pësuar nga një palë në rast të një procedure konfiskimi përfundimisht të pasuksesshme.

    Si pikë tjetër e rëndësishme e rekomandimeve të Komisionit të Venecias është edhe gjetja e provave të nevojshme për vendosjen e masës së sigurisë, raporton Paparaci.

    “Duke vendosur një prag adekuat provash për masat e përkohshme të sigurisë dhe duke e bërë të qartë se masa të tilla mund të ndërmerren sipas procedurës civile edhe nëse janë nisur hetimet penale”, shkruhet në këtë rekomandim.

    Kujtojmë se me 58 vota për dhe tre abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në korrik të këtij viti.

    Në shkurt të këtij viti ishte shtyrë votimi i këtij projektligji për një afat të pacaktuar, deri në kthimin e një përgjigje nga Komisioni i Venecias.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ishte drejtuar këtij Komisioni me kërkesë të opozitës.

    Në muajin maj, i pari i Kuvendit kishte pritur në takim përfaqësues të Komisionit të Venecias ndërsa në korrik filloi nga pika zero diskutimi për këtë projektligj.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    20 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark