×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Kompania që mori mbi 2 milionë euro kontrata nga MSH – mashtron shtetin, futet në listë të zezë nga OSHP

    Insajderi
    23 February 2021 - 15:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Interlab”, kompania me bazë në Shtime, e cila udhëhiqet nga Betim Sadriu, është futur në lisën e zezë të Gjykatës së Tenderëve, për shkak të dokumenteve false që ia ka paraqitur shtetit.

    Njomza Salihi

    Kompania “Interlab” SHPK është futur në listë të zezë nga shteti.

    E njëjta nuk mund të marrë asnjë kontratë publike nga institucionet publike deri më 31 janar 2022.

    Kështu ka vendosur Gjykata e Tenderëve, pasi operatori ekonomik që merret me tregtinë e produkteve medicinale ka mashtruar shtetin, duke paraqitur dokumente të falsifikuara.

    “Operatori në fjalë diskualifikohet dhe atë për periudhë kohore prej 1 viti, të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në Aktivitetet e Prokurimit Publik të Republikën e Kosovës, nga data 01.02.2021 deri më 31.01.2022”, thuhet në vendimin e OSHP-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky vendim ka ardhur pas ankesës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, të bërë më 18 janar 2021, ku thuhet se “Interlab” ka paraqitur të dhëna të rreme dhe dokumente të falsifikuara në tenderin: “Furnizimi me material medicinal nga LE për nevojat e ShSKUK-së”.

    “Interlab”, kompania me bazë në Shtime, që për pronar ka Betim Sadriun, në prokurimin publik të SHSKUK-së ka konkurruar për Lot 12, pozicioni 2, me “Tongue depressor Wooden” apo shkopinjë sterilë për kontrollimin e fytit, me prodhues “Yangazhou Super Union Kinë”.

    Sipas dokumenteve origjinale, prodhuese e 149 mijë shkopinjëve sterilë për kontrollimin e fytit (të njohur si depresor) të porositura nga SHSKUK nuk janë prodhura nga “Yangazhou…”, siç ka deklaruar “Interlab”-i, por nga “Boen healthcare Co., Ltd Kina”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Interlab” mori mbi 2 milionë euro nga kontratat e negociuar me MSH-në

    Kompania “Interlab” në pikun e pandemisë, gjatë vitit të kaluar, pati përfituar tri kontrata të negociuara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kapnin shumën e mbi 2 milionë eurove.

    MSH këtë kompani e pati shpërblyer me një kontratë të negociuar për 60 mijë teste PCR për Sars-Cov-2, në vlerën e 1 milion e 300 mijë euro.

    Një kontratë të negociuar për teste PCR, “Interlab” e kishte fituar edhe në muajin maj. Kontrata ishte në vlerë 157 mijë euro për furnizim të rreth 10 mijë testeve PCR.

    Ndërkaq në prill, Ministria e Shëndetësisë kishte blerë nga kjo kompani 30 respiratorë në vlerë 749 mijë euro./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark