×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kompania që u kap me 40 kg drogë kishte pasur një përplasje me Vlora Çitakun, para gjashtë vjetësh

    Insajderi
    05 January 2023 - 22:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania “Bici Com” që sot u zu duke u marrë më tregtinë e drogës ka qenë edhe në një rast tjetër në vëmendje të publikut ndonëse për një rast jo kaq të rëndë. Ishte në fokus për mashtrimin e opinionit kosovar. Për rastin kishte reaguar edhe Vlora Çitaku.

    Kompania e udhëtimeve ishte bërë e njohur gjashtë vjet më parë pasi kishe mashtruar opinionin.

    Bëhet fjalë për një sulm që “Bici Com” e kishte pasur në Serbi, fakt ky të cilin ishin munduar ta fshehin.

    Pre e kësaj çështjeje kishte rënë edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku. Ajo kishte reaguar për rastin e sulmit, por ishte demantua nga kompania e udhëtimeve “Bici-Com”.

    Pasi një lajm për sulm ndaj kësaj kompanie kishte “vërshuar” në mediet e Kosovës, atëherë ambasadorja Çitaku kishte nxituar të akuzonte Serbinë. Ajo madje shprehej e gatshme që të thirrte një takim të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për këtë rast.

    Çitaku e quajti hipokrit shtetin serb.

    “Një autobus që transportonte kosovarët është sulmuar sot në Serbi. Ndoshta duhet të thërrasim takimin e Këshillit të Sigurisë. Hipokrizi. Standarde të dyfishta. A e ka dënuar dikush këtë sulm nga komuniteti ndërkombëtar?”, kishte shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook, shkruante Gazeta Insajderi.

    Nuk kishte vonuar shumë, derisa Çitaku ishte demantuar nga Bexhet Bici, pronar i kompanisë “Bici-Com”. Bici e kishte demantuar lajmin për sulm ndaj autobusit të kompanisë së tij atë kohë, në një intervistë në televizionin Klan Kosova.

    Për Çitakun ky demantim i kompanisë kosovare të udhëtimeve ishte “një mësim i mirë”, siç kishte thënë edhe ajo vet përmes një shkrimi ku kërkonte falje publikisht për reagimin e parë të ashpër që kishte bërë ndaj Serbisë.

    “Sapo u informova se kompania ka mohuar se ka ndodhur një sulm. Me gjasë ishte një lajm i rremë. Kërkoj falje të sinqertë. Mediumi që raportoi lajmin nuk e ka kontaktuar kurrë kompaninë e autobusëve”, shkruante Çitaku, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Më vjen shumë keq sepse unë nuk kam dashur të ndaj një lajm të rremë dhe të shkaktoj panik. Ky është mësim i mirë për mua, dhe të gjithë ne duhet të shikojmë më shumë për burimin e informacionit. Lajmi i rremë është i rrezikshëm. Ai nxit konfuzion dhe pasiguri. Kërkoj falje. Duhet të verifikoj më shumë”, deklaronte ambasadorja, shkruan Gazeta Insajderi.

    E kompania që e bëri horë ambasadoren Çitaku gjashtë vjet më parë, më pas kishin pranuar se lajmi që e demantuan ata vet ishte i vërtetë në fakt.

    Këtë sqarim, pronari i kompanisë “Bici-Com” e dha pasi njëri nga autobusët e kompanisë së tij u sulmua në Serbi.

    Bici thoshte për KTV-në se ky nuk ishte rasti i parë që autobusët e kësaj kompanie janë sulmuar në Serbi.

    Për këtë fshehje të rastit që kompania “Bici-Com” pati zgjedhur të bëjë, kishte reaguar prapë Çitaku.

    “Tash na doli, që kompania e udhëtimeve paska fshehur rastet e sulmeve të autobusëve. Rastet qenkan të hapura në policinë e Serbisë, dhe qenkan disa. E unë shqetësohem pse të tjerët nuk reagojnë, kur jemi ne vet që i mbulojmë. Pa fjalë”, shkruante Çitaku në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi

    Kompania “Bici-Com” është një kompani kosovare e udhëtimeve nga fshati Godishnjak i Podujevës. Kjo kompani është e regjistruar si “biznes individual” në ARBK dhe vepron që nga viti 2003.

    Ndërsa sot, menaxheri i saj Nusret Bici është kapur me 40 kilogramë drogë në operacionin policor të koduar “Mjegulla”.

    Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë. Droga dyshohet se është e llojit “Marihuanë” dhe vlera e saj sillet rreth 80 mijë euro.

    Sipas policisë destiacioni final i kësaj sasie ishin vendet e perëndimit./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark