Komuna e Deçanit gjatë vitit 2022 kishte ndarë bursa në kundërshtim me kushtet e konkursit publik, shkruan Insajderi.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka evidentuar se tre përfitues të bursave nuk i kishin plotësuar kriteret e parapara në thirrjen publike.
Sipas raportit të ZKA’së, dy prej përfituesve nuk ishin student të nivelit Bachelor, pasi që kishin diplomuar në kohën kur kishin aplikuar për bursë. Ndërsa përfituesi tjetër ishte duke punuar në komunën e Deçanit e po ashtu ishte edhe student në një kolegj privat.
Të tre këta kandidatë kishin përfituar bursat pas ankesave.
“Konkursi publik i dt. 19.08.2021 për ndarjen e bursave për studente të Komunës së Deçanit për vitin akademik 2019-2020 ndër te tjera ka përcaktuar kushtet për konkurrim si: te jete studente i rregullt në ndonjërin nga Universitetet Publike të Republikës se Kosovës, të jetë studente i nivelit Bachelor i vitit të dytë e më lartë etj. Në kushte te barabarta përparësi kishin fëmijët e dëshmoreve, personat me nevoja të veçanta, asistence sociale etj. Vera e bursës komunale për studente ishte 300€ në vit.
Nga testimi i thirrjes publike për ndarjen e bursave, kemi evidentuar tre (3) përfitues te bursave te cilët nuk plotësonin kriteret e përcaktuara me thirrje publike. Përderisa dy (2) prej tyre nuk ishin studente te nivelit Bachelor ngase kishin diplomuar në kohën kur aplikonin për bursë, njeri prej tyre kishte qenë i angazhuar si punëtor i komunës përmes Marrëveshjeve për shërbime të veçanta gate vitit 2020/2021 si dhe ishte student edhe ne një kolegj privat. Duhet theksuar se të tre këta kishin përfituar bursat përmes ankesave në procesin e vlerësimit të aplikuesve“, thuhet në raportin e ZKA’së.
Ndërkohë, zyrtarët komunal për dy rastet e para janë arsyetuar se kjo ka ndodhë pasi Komuna e Deçanit kishte shpërndarë bursa për herë të parë gjatë atij viti.
Kurse, për punëtorin e komunës, thanë se dhënia e bursës u bë për shkak të kushteve të rënda ekonomike./Insajderi.org/