“Interlab” SHPK e ka fituar një tender në vlerë prej 25 mijë eurove nga komuna e Vushtrrisë, një muaj pasi e njëjta është futur në listë të zezë nga Gjykata e Tenderëve. Sipas kësaj të fundit, kompania për një vit nuk mund të konkurrojë, dhe as të fitojë kontrata publike.
Komuna e Vushtrrisë dhe kompania “Interlab” SHPK më 26 mars të këtij viti e kanë nënshkruar kontratën për një tender që vlen 25 mijë euro.
Kompania do të furnizojë me pajisje mjekësore për Covid-19 qendrat e mjekësisë në Vushtrri.
Njoftimi për dhënien e këtij tenderi është bërë më 4 mars, një muaj pasi “Interlab” SHPK është futur në listë të zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, shkruan Gazeta Insajderi.
Drejtori i Prokurimit në Vushtrri, Amir Haradinaj, e ka arsyetuar këtë veprim të komunës. Ai ka thënë se të gjithë procedurat e prokurimit për këtë tender ishin kryer para se “Interlab” SHPK të futej në listë të zezë nga Gjykata e Tenderëve.
“Të gjitha procedurat e prokurimit janë kryer para se kompania të futet në listë të zezë nga shteti, por kontrata nuk është nënshkruar deri në mars për shkak se nuk e kemi pasur buxhetin e siguruar”.
“Në momentin që e kemi siguruar buxhetin, e kemi nënshkruar edhe kontratën me “Interlab” SHPK”, ka thënë Haradinaj për Gazetën Insajderi.
Por, një gjë të tillë nuk e lejon Ligji i Prokurimit. Në momentin që një kompani futet në listën e zezë nuk mund të jetë pjesë e procedurave tenderuese.
Komuna e Vushtrrisë njoftimin për dhënie të kontratës dhe nënshkrimin e saj e ka bërë një muaj pas vendimit të OSHP-së për ta futur “Interlab” SHPK në listë të zezë . Ndërkaq, njoftimi për hapjen e këtij tenderi ishte bërë më 4 dhjetor 2020.
Blerim Dina, Kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka pohuar se në momentin që një operator diskualifikohet, ai nuk ka të drejt të marrë kontratë publike, pavarësisht nëse për të njëjtën ka aplikuar para se të futej në listë të zezë.
“Konform nenit 32 të rregullores se punës të OSHP-së nëse një OE [operator ekonomik] futet në listë të zezë, nga momenti i nxjerrjes së vendimit e deri në datën sa zgjat diskualifikimi, diskualifikohet nga procedurat e prokurimit”, ka thënë Dina për Gazetën Insajderi.
Neni 32 i rregullores së Organit Shqyrtues të Prokurimit ndër të tjera e ndalon edhe nënshkrimin e kontratës publike me autoritetin kontraktues nga momenti që ajo futet në listë të zezë.
“Diskualifikimi është i vlefshëm nga momenti i nxjerrjes së vendimit lidhur me diskualifikimin, deri në periudhën kohore të përcaktuar ne vendimin e panelit shqyrtues. Për qëllime të kësaj dispozite aktiviteti i prokurimit ndër të tjerash përfshinë edhe nënshkrimin e kontratës publike me autoritetin kontraktues”, shpjegon neni 32 i rregullores së Gjykatës së Tenderëve, shkruan Gazeta Insajderi.
Betim Sadriu, pronari i “Interlab” SHPK, kompani kjo me bazë në Shtime, nuk ka dashur ta jep komente rreth krejt këtij procesi.
I njëjti është kontaktuar nga Gazeta Insajderi, por ka thënë se nuk dëshiron të flas.
“Interlab” SHPK është futur në lisën e zezë të Gjykatës së Tenderëve, për shkak të dokumenteve false që ia ka paraqitur shtetit.
Sipas vendimi të OSHP-së, “Interlab” SHPK do të mbetët jashtë garës së tenderëve për një vit.
“Operatori në fjalë diskualifikohet dhe atë për periudhë kohore prej 1 viti, të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në Aktivitetet e Prokurimit Publik të Republikën e Kosovës, nga data 01.02.2021 deri më 31.01.2022”, thuhet në vendimin e OSHP-së, të nxjerrë më 2 shkurt 2021, shkruan Gazeta Insajderi.
Ky vendim ka ardhur pas ankesës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, të bërë më 18 janar 2021, ku thuhet se “Interlab” SHPK ka paraqitur të dhëna të rreme dhe dokumente të falsifikuara në tenderin: “Furnizimi me material medicinal nga LE për nevojat e ShSKUK-së”.
“Interlab” SHPK mori mbi 2 milionë euro nga kontratat e negociuar me MSH-në
Kompania “Interlab” SHPK në pikun e pandemisë, gjatë vitit të kaluar, pati përfituar tri kontrata të negociuara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kapnin shumën e mbi 2 milionë eurove.
MSH këtë kompani e pati shpërblyer me një kontratë të negociuar për 60 mijë teste PCR për Sars-Cov-2, në vlerën e 1 milion e 300 mijë euro.
Një kontratë të negociuar për teste PCR, “Interlab” e kishte fituar edhe në muajin maj. Kontrata ishte në vlerë 157 mijë euro për furnizim të rreth 10 mijë testeve PCR.
Ndërkaq në prill, Ministria e Shëndetësisë kishte blerë nga kjo kompani 30 respiratorë në vlerë 749 mijë euro./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: