×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Komuniteti LGBTI në sport/ Frika nga homofobët solli fshehjen e orientimit seksual, futbollisti nga Kosova rrëfen historinë e tij

    Insajderi
    14 May 2022 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të qenit një sportist profesionist homoseksual, qoftë futbollist, xhudist, tenist apo atlet vazhdon të mbetet një tabu, përkatësisht vazhdon ta ketë koston e vet.  

    Anipse të drejtat komunitetit LGBT në Kosovë janë përmirësuar vitet e fundit, kjo me miratimin e Kushtetutës së re, e cila sanksionon diskriminimin me bazë orientimin seksual, në të shumtën e rasteve ky ligj kundër diskriminimit nuk po është efektiv.

    Dhe, frika nga homfobia është arsyeja pse shumë prej tyre zgjedhin të heshtin dhe të mos flasin haptazi për orientimin e tyre seksual.

    Njëjtë ka vepruar edhe futbollisti nga Kosova, i cili për Insajderin ka rrëfyer paragjykimet, përballjen me diskriminimin dhe fshehjen e orientimit seksual.

    *futbollisti ka kërkuar të mbetet anonim (emër i njohur për redaksinë).

    Intervista

    Insajderi: Pse keni vendosur të mos flisni haptazi për orientimin seksual?

    • “Orientimi seksual është ende tabu në vendin tonë, edhe pse si shoqëri jemi në tranzicion sa i përket orientimit seksual ende ekzitojnë mendime ekstreme dhe përdoret gjuhë e urrejtjes drejt personave gej.Perderisa ambienti është i rrezkshem dhe luftohet kundër komitetit e shoh si të rrezkshme të flas hapur mbi orientimin seksual, duke menduar pasojat”

    Insajderi: Sa është e vështirë për ty dhe si po e përjeton këtë periudhë?

    • “Është jetë e dyfishtë, njëra ajo që duhet ti përshtatemi në familje, shoqëri dhe punë dhe tjetra ajo që jemi vetëvetja. Ka momente që ndihem jo mirë, por kur kam vendosur të pranojë veten ashtu siç kam lindur, mundohem të pranojë edhe shoqërinë me gjithë paragjykimet që ka”

    Insajderi: A mendon se ka edhe të tjerë sportistë që nuk flasin lidhur me orientimin e tyre seksual?  

    • “Personalisht mendoj që komunitet lgbt është shumë herë më i madh se që mendohet, futbolli është sporti më i popullarizuar në botë, besoj që ka shumë sportist që janë persona gej, por ambienti i papërshtatshem i bënë ata ta mohojnë, fshehin atë.

    Insajderi: A mendon se do te pranoheshe nga kolegët futbollistët e tjerë në ekip dhe a flitet për këtë temë?  

    • “Nga shumica jo, ka pak nga shoqëria që janë pro komunitet lgbt, në të gjitha debatet që kam pasur rreth orientimit seksual, fillojnë dhe mbrojnë me sharje për personat gej, ka disa raste që kanë lexuar diqka më shumë dhe ka ndonje mendim pozitv, por në shumicë jo.
    • “Jo, të pakten sa herë qe flitet është kur përqeshet ndonjë lojtar për ndonjë sjellje gjatë lojës dhe cilësohet si feminine dhe shahet në terma “Gej” ose “Peder”. Nuk ka ende ndonjë mendim kritik, apo diqka që është më e hapur rreth LGBT.

    Insajderi: Cili eshte mesazhi per homofobet?

    • “Dashnia nuk është problemi. Para se të marrim guximin të flasim të paragjykojnë, është e rrugës të pyesim të lexojmë rreth komunitet gej, të jemi më të hapur rreth mendimve ndryshe nga të tjerët, të debatojmë dhe të respektojmë të drejtat e tjetrit”- përfundoi futbollisti nga Kosova, identiteti i të cilit me kërkesë të vet personit në fjalë po mbahet konfidencial.

    Mirëpo a do të ndryshojë kjo mendësi dhe a duhet më shumë edukim për lojtarët për të luftuar homofobinë? Këtyre përgjigjeve për Insajderin i është përgjigjur sociologu, Albert Mecini.

    “Fatkeqësisht, hapësirat sportive, vazhdojnë të mbesin si ambiente në të cilat, jo rrallë, shprehet mosdurimi ndaj grupeve të ndryshme shoqërore. Kjo ka bërë që në raste të caktuara sportistët t’i mbajnë fshehur orientimet e tyre seksuale, nga frika e sjelljeve abuzuese apo kërcënuese ndaj tyre.”

    “Natyrisht kjo gjë duhet të ndryshojë, dhe se homofobia luftohet përmes vetëdijesimit dhe edukimit shoqëror, sa i përket respektimit dhe pranimit të tjetrit në të drejtat individuale dhe shoqërore, pavarësisht orientimit seksual. Në rastin e sportit, ndoshta ky vetëdijesim do të arrihej përmes programeve trajnuese dhe vetëdijësuese për sportistët, në të cilat ata do të njoftoheshin për detyrimet dhe të drejtat e tyre. Kjo do t’i kontribuonte gjithashtu një atmosfere tolerance dhe mirëbesimi grupor” – ka thënë Mecini.

    Futbollistët homoseksual në botë

    Aktualisht nuk ka lojtarë që kanë dalë hapur si homoseksualë në ligën thuajse më të fortë të futbollit, Premier League, që prej kur kur futbollisti anglez, Justin Fashanu doli hapur dhe foli për orientimin seksual rreth 30 vjet më parë.

    Van Gaal, 68 vjeç, i cili doli në pension një vit më parë pas një karriere të shkëlqyer si trajner në Holandë, Spanjë dhe Gjermani, pranoi se kishte dyshimet e tij se disa lojtarë që ai drejtonte ishin homoseksualë.

    Por, ai thotë se seksualiteti mbetet një temë kaq tabu brenda dhomave të zhveshjes, saqë nuk do ta këshillonte kurrë një lojtar që të flet haptazi që është homoseksual.

    Njëjtë mendon edhe futbollisti francez, Patrice Evra, i cili pati pohuar se ka të paktën dy futbollistë homoseksualë në çdo klub në botë.

    “Ka të paktën dy lojtarë për çdo klub që janë homoseksualë, por në botën e futbollit, nëse thua kështu, ka mbaruar”.

    /Insajderi/ Vanesa Zhugolli

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark