Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Naser Krasniqi, ka konfirmuar së në këtë objekt ka pasur vjedhje të kasafortës.
Ai në një adresim për media nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e kasafortës me arsyetimin se kjo mund ta pengojë procesin e hetimit që është duke u kryer nga Policia.
Krasniqi ndër të tjera konfirmoi se vjedhja ka ndodhur nga 00:00 deri në ora 04:00.
“Konfirmoj se në AUV ka pasur një ndërhyrje gjatë natës së mbrëmshme, ku personat e paautorizuar kanë hyrë, edhe pse objekti është i ruajtur nga Policia. Rasti është duke u hetuar nga Policia dhe ne nuk mund të japim detaje të tjera, deri sa të përfundojë hetimi. Dyshohet se personat kanë hyrë nga pjesa e pasme të objektit”, ka thënë ai.
Kujtojmë se dje nga Thesari i Shtetit u vodhën mbi 2.1 milionë euro, me ç’rast u arrestuar një zyrtar i Ministrisë së Financave, kurse dy persona të tjerë janë në arrati. /Insajderi.org