×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Kongresisti republikan: Veprimet e Kurtit ishin të pakujdesshme dhe destabilizuese

    Insajderi
    18 July 2023 - 21:27

    Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka raportuar para Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Gjatë raportimit të Escobarit, ka folur edhe Thomas Kean, kongresist i Partisë Republikane. Si kryesues i Komisionit, ai ka kritikuar Administratën Biden.

    “Nuk ka një çështje të vetme që po e bllokon Ballkanin Perëndimor sesa dështimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nën kujdesin e kësaj administrata, protestat e fundit të dhunshme në veri të Kosovës kërcënuan eskalimin që mund të kishin përfshirë tërë rajonin. Kryesorja është se qasja aktuale e SHBA-së po dështon për të mbajtur larg tensionet etnike dhe paqëndrueshmërinë”, deklaroi republikani Kean, transmeton Klan Kosova.

    Por Kean kishte fjalë të ashpra edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    “Veprimet e pakoordinuara të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke përdorur forcat policore të Kosovës për të vendosur kryebashkiakët lokalë, ishin të pakujdesshme dhe destabilizuese”, tha Kean.

    Por ai kishte kritika edhe ndaj serbëve të cilët shkaktuan dhunë të paparë ndaj KFOR-it javë më parë, duke kërkuar që të dënohet çfarëdo roli që Serbia ka luajtur në këto ngjarje huligane.

    “Megjithatë, dhuna pasuese e protestuesve serbë që çoi në lëndimin e disa dhjetëra ushtarëve të KFOR-it, duhet të dënohet gjithashtu, siç duhet të dënohet edhe çdo rol direkt apo indirekt që ka luajtur Beogradi për t’i organizuar dhe për t’i armatosur ata protestues. Jam i shqetësuar që kjo administratë s’po flet qartë për këta të fundit.” – tha Kean.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark