Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kabineti i tij kanë shprehur mbështetje për grevën e stafit të mirëmbajtjes. Në një postim në Facebook, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit…
Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kabineti i tij kanë shprehur mbështetje për grevën e stafit të mirëmbajtjes.
Në një postim në Facebook, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit, inkurajoi stafin të vazhdojnë kërkesat e tyre ndaj operatorit ekonomik me të cilin kanë marrëdhënie pune.
Kërçeli theksoi se çështja e pagës është përgjegjësi e operatorit ekonomik si punëdhënës dhe se pagesa e kontributeve është obligim i Administratës Tatimore të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi se Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë dëshmi për pagesat e rregullta të tatimeve para nënshkrimit të çdo kontrate.
“Në mungesë të mjeteve procedurale për t’i dhënë përgjigje kërkesave të drejta të stafit mirëmbajtës, si kabinet i kryetarit të Kuvendit mbështesim publikisht kërkesat e tyre duke vlerësuar të drejtë konstatimin se pagesat aktuale janë jashtëzakonisht të vogla”, ka shkruar Kërçeli.
Më tej, ai ka listuar edhe disa sqarime lidhje me pagesat dhe obligimet e operatorit ekonomik, që janë si më poshtë:
- Në kontratën e vitit 2019, pagat minimale bruto për mirëmbajtje të pastrimit kanë qenë si në vijim: Stafi për mirëmbajtje higjienike 250 euro kurse pjesa tjetër 300 euro deri 400 euro.
- Njësoj si në vitin 2019, kanë qenë edhe në aneks kontratën e vitit 2021.
- Në kontratën e vitit 2022, paga minimale bruto për stafin e mirëmbajtjes higjienike ka qenë: 280 euro.
- Në kontratën e vitit 2023 paga minimale bruto për stafin e mirëmbajtjes higjienike ka qenë: nga 300 euro.
- Në këto procedura të mëparshme, Autoriteti Kontraktues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka kërkuar që tenderuesi duhet të paguajë pagën minimale për kategoritë e shërbimeve që ofrohen. Një kërkesë e tillë ka qenë në Dosje të tenderit dhe në kontratë, të cilën operatori ekonomik gjatë ekzekutimit të kontratës ka qenë i obliguar ta përmbushë!
- Në kontratën aktuale operatori ekonomik i ka dorëzuar dëshmitë se pagat minimale të paguara janë nga 300 euro e më tepër, në varshmëri të pozitës.