×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    “Konkurse të kurdisura, arsim i degraduar e korrupsion”, Vetëvendosje në Prizren kritikon Qeverisjen e PDK’së

    Insajderi
    29 October 2022 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Qeverisja e PDK-së është karakterizuar me shkelje të vazhdueshme e keqpërdorim të pozitës zyrtare”, kështu e komenton asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Selman Sokoli, qeverisjen aktuale në qytetin e Prizrenit.

    Insajderi

    Opozita në Prizren konsideron se arsimi është degraduar totalisht nga konkurset e kurdisura dhe punësimi i anëtarëve të klaneve të ndryshme. Sipas Sokolit, PDK-ja në Prizren e ka braktisur vetëvetën dhe nuk po  e zbaton programin me të cilin ka garuar në zgjedhje.

    Shërbimet e mangta komunale, kaosi nga ndërtimet, mungesa e ndriçimit publik, mungesa e çerdheve, problemet me furnizim me ujë, qentë endacak janë problemet kryesore të prizrenaseve, sipas asamblistit të Vetëvendosjes, Selman Sokoli.

    Sokoli kërkoi nga qytetarët të angazhohet sa më shumë në lagjet e tyre ku banojnë në mënyrë që të bëjnë presion në organet komunale për të quar përpara kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme.

    Intervista e plotë me asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Selman Sokoli:

    • Insajderi: Si qëndron Lëvizja Vetëvendosje në Prizren në krahasim me zgjedhjet e kaluara në këtë komunë?

    Selman Sokoli: Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast Qendra në Prizren, që nga futja në institucione ka pasur rritje të vazhdueshme, sidomos në vitet 2016-17, 2019 dhe kulmimi ishte në shkurtin e vitit të kaluar.

    Nga zgjedhjet e kaluara lokale, jo këto të fundit, LV është rritur për pesë asamblistë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2017, ku kishim fituar shtatë ulëse në Kuvendin Komunal, e që në zgjedhjet e fundvitit 2021 kemi përfunduar dukshëm si subjekti i parë me 12 ulëse të fituara, më shumë se të gjitha partitë tjera një nga një.

    • Insajderi: Cilat janë synimet tuaja dhe roli i VV’së në këtë mandat si opozitë?

    Selman Sokoli: Synimet tona si LV, si asamblistë komunal fokusohen në kryerjen e detyrave si opozitë duke pasë parasysh gjithmonë mbrojtjen e interesit të qytetarëve të komunës sonë. Në bazë të kësaj ne vazhdimisht jemi aktiv dhe luajm rolin tonë opozitar në denoncimin e dukurive negative dhe shkeljeve ligjore nga pushtetarët e PDK-së, e që qysh nga fillimi i mandatit po tregojnë që nuk kanë reflektuar nga kohërat e mëhershme kur kanë qeverisur dhe po vazhdojnë avazin e vjetër.

    Krahas këtyre ne po mundohemi që të paraqesim para qytetarëve alternativën tonë që po zbatohet në nivel nacional, të përkthyer në çështje lokale dhe në disa komuna ku qeverisë LV-ja. Kjo ka të bëjë me ofrim të shërbimeve sa më të mira publike; rregullim të infrastrukturës komunale; hartim të planit për zhvillim ekonomik lokal; trotuare për këmbësor; ndriçim publik; shkolla të pajisura me elementet e nevojshme për zhvillim sa më cilësor të mësimit; parqe të reja; hapësira shtesë për sport dhe rekreacion etj.

    Si opozitë ne po mundohemi të luajm rolin tonë që na takon dhe të vëmë theksin tek këto në mënyrë që Komuna të veproj. Por, siç duket qeverisja lokale po vazhdon me avazin e shablloneve pa planifikim të duhur e të saktë, duke mos u konsultuar me qytetarët për nevojat dhe kërkesat e tyre dhe duke mos qenë transparent e llogaridhënës që e bëjnë shumë problematike këtë qeverisje. 

    • Insajderi: Si e vlerësoni udhëheqjen e Shaqir Totajt që nga marrja e mandatit deri më tani?

    Selman Sokoli: Qeverisja e PDK-së në këtë mandat që në dhjetor i mbushë një vit, është karakterizuar me shkelje të vazhdueshme e keqpërdorim të pozitës zyrtare. Kemi pasur një degradim total të arsimit në komunën tonë me konkurse të kurdisura me “trike” siç e kemi dëgjuar tek thotë një anëtarë i komisionit përzgjedhës, në një audio incizim të publikuar nga portali juaj. Ky proces ka përfunduar në mënyrë jo dinjitoze duke u zgjedhur për drejtorë jo vetëm element partiak dhe anëtar të klaneve të ndryshme siç e thamë me “trika”, por kemi pasur edhe drejtorë të zgjedhur e që janë me precedent penal, drejtorë që kanë nënshkruar deklarata të rrejshme nën betim etj. Kemi pasur edhe konkurse të anuluara, pasi që me to ka nisë të merret prokuroria, siç ishte ai i sekretarëve të shkollave dhe shumë shkelje e keqpërdorime tjera, që tregojnë që kjo qeverisje qysh në fillin e saj ka dhënë shenja të korrupsionit dhe shkeljeve të vazhdueshme ligjore.

    • Insajderi: Cilat mendoni se janë dështimet kryesore  të Qeverisjes së PDK’së në Prizren?

    Selman Sokoli: PDK-ja në Prizren e ka braktisur vetëvetën, pra ajo nuk po  e zbaton programin me të cilin ka garuar në zgjedhje, ndoshta sepse me të vërtetë ai program ka qenë tejet i mangët e sipërfaqësor, por gjatë fushatës zgjedhore kishim premtime për transparencë e llogaridhënie, depolitizim të arsimit dhe zbatim të ligjeve në ushtrimin e funksioneve publike. Asnjëra nga to nuk po ndodhë, përkundrazi, e kundërta është bërë trend me këtë qeverisje.

    • Insajderi: Po punët e mira të qeverisjes aktuale?

    Selman Sokoli: Kur e lexova këtë pyetje mu kujtua materiali që po shfletoja për seancën e fundit të Kuvendit Komunal.  Njëra nga pikat e rendit të ditës kishte të bënte  me Projekt Planin Komunal për Integritet për vitet 2022-2026 dhe mendova për të dhënë këtë si përgjigje. Por gjatë shfletimit e kuptova që këtë nuk e kishte bërë kjo qeverisje por ajo e kaluara dhe ky është obligim nga institucionet qendrore që u jepet komunave si një dokument strategjik dhe operativ që konsiderohet mjet i rëndësishëm për fuqizimin e integritetit institucional.

    • Insajderi: Cilat mendoni se janë problemet kryesore me të cilat përballën qytetarët e Prizrenit?

    Selman Sokoli: Qytetarët e Prizrenit përballen me shërbime të mangëta komunale dhe në disa lokacione edhe me mungesë të tyre. Qeverisja komunale e ka për detyrë që të ofrojë shërbimet më afër qytetarit dhe të përmirësoj ato shërbime. Qytetarët përballen çdo ditë me kaosin në ndërtim ku ekzistojnë vendpunishte që nuk respektojnë ligjet dhe rregulloret e kantiereve të ndërtimit, mungesë e ndriçimit publik në një pjesë të madhe të qytetit dhe pjesën dërrmuese të fshatrave; ende ka problem me furnizim me ujë në disa lagje. Tjetër problem që punëtorëve që janë prind ua vështirëson edhe më shumë jetën është mungesa e çerdheve për fëmijë në pronësi publike dhe mungesa e kushteve në ato private duke përfshirë edhe çmimet që mund të jenë shpeshherë të papërballueshme për qytetarët. Qentë endacak janë problem i vazhdueshëm e të cilët në mënyrë të përhershme rrezikojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

    • Insajderi: Për fund a keni diçka që dëshironi të shtoni, që e konsideroni të rëndësishme për publikun?

    Selman Sokoli: Publiku duhet të angazhohet sa më shumë në lagjet dhe komunitetet e tyre ku banojnë në mënyrë që të bëjnë presion në organet komunale për të quar përpara kërkesat dhe interesat e tyre që kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme në vendet ku jetojnë. Pra, që të jenë qytetarë aktiv që angazhohen për të mirën e komunitetit dhe rrethit ku jetojnë. Si aktivistë, si Asamblistë dhe si Lëvizje në Prizren, do të mundohemi që çështjet në interesin qytetarë t’i shtyjmë përpara e dukuritë negative që shpesh i kuptojmë nga sinjalizimet e tyre, t’i ndalim e aty ku ka shkelje ligjore edhe t’i informojmë organet përgjegjëse që të ndërmarrin masat që janë të parapara me ligjet në fuqi.

    Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark