09:47 - 14 Qershor 2022

Jeta e Kristjan Asllanit ka ndryshuar në mënyrë drastike brenda një viti. Mesfushori i talentuar shqiptar, ndonëse kishte spikatur në radhët e ekipit të të rinjve të Empolit, ishte thuajse një i panjohur për publikun e gjerë edhe pse stërvitej me ekipin e parë.

Ndërsa tani, po bëhet gati të firmosë me Interin me një rrogë marramendëse. Palët kanë arritur gjuhën e përbashkët mes tyre, tani pritet vetëm zyrtarizimi.

Deri në verën e kaluar, ai kishte luajtur vetëm dy ndeshje në Kupën e Italisë me skuadrën në fjalë, ndërsa edhe te përfaqësuesja Shpresa e kishin grumbulluar duke e mbajtur në stol.

Por gjithçka ka ndryshuar me shumë shpejtësi për të, pasi ai arriti të fitonte vendin në radhët e skuadrës së Empolit dhe tashmë është në radarët e Interit që është gati të blejë futbollistin.

Negociatat mes klubeve për transferimin e 20-vjeçarit vazhdojnë, por mësohet se ai ka gjetur edhe akordin e tij me zikaltrit për kontratën e re.

Mediat italiane raportojnë që Asllani do të përfitojë 1,2 milionë euro në sezon, për një kontratë pesëvjeçare, me Interin që e sheh atë zëvendësuesin ideal të Brozoviç dhe emrin që do ta zëvendësojë herët apo vonë në formacionin titullar.