×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Kosova dhe Serbia të mos i hapin më gropa njëra-tjetrës”

    Insajderi
    14 December 2022 - 08:38

    Përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se kriza në veriun e Kosovës duhet shfrytëzuar për të nxitur me tej dialogun Kosovë-Serbi.

    Gjatë një diskutimi virtual të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, Sarazin shprehu zhgënjimin që Procesi i Berlinit, megjithëse i rigjallëruar së fundi, falë një angazhimi më të madh të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit, nuk ka arritur të japë rezultate më të mëdha.

    Kriza në veriun e Kosovës duhet të shërbejë për t’i dhënë një shtysë përpara dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tha përfaqësuesi i qeverisë gjermane për Ballkanin Manuel Sarrazin gjatë një diskutimi virtual që u organizua nga Këshilli i Atlantikut me seli në Uashington, raporton Zëri i Amerikës.

    “Ta shfrytëzojmë këtë krizë si një mundësi për ta çuar dialogun përpara duke marrë parasysh propozimin evropian me të cilin po punojnë zoti Lajçak, zoti Borell dhe kancelari gjerman së bashku me presidentin francez. Kjo është një mundësi e madhe që duhet shfrytëzuar, në vend që këto vende t’i hapin gropa njëri-tjetrit duke rrezikuar që i gjithë rajoni të bjerë brenda tyre”, tha Sarrazin gjatë diskutimit.

    Ai shtoi se Procesi i Berlinit që kishte si objektiv forcimin e lidhjeve mes Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të BE-së, u rigjallërua me qeverinë e re gjermane dhe me nisjen e luftës në Ukrainë. Takimi i fundit i mbajtur në tetor në Berlin dhe më pas takimi i nivelit të lartë në Tiranë përfunduan me arritjen e disa marrëveshjeve që do kenë ndikim në jetën e qytetarëve të Ballkanit. Por, i dërguari gjerman shprehu zhgënjim që kjo atmosferë pozitive e krijuar, nuk solli më shumë rezultate pozitive për rajonin.

    “Ndoshta kemi arritur të rigjallërojmë procesin e Berlinit, dhe duhet ta vazhdojmë atë, por unë shpresoja që kjo atmosferë pozitive të sillte më shumë rezultate në lidhje me tema të nxehta. Por, ende kemi kohë, ndaj le të qëndrojmë optimistë dhe besnik idesë që nganjëherë duhet të bëjmë edhe hapa të vegjël, si ajo me lëvizjen e lirë apo çmimet e thirrje telefonike ‘roaming’ që u arrit në Tiranë dhe të mos harrojmë t’i zbatojmë këto hapa të vegjël”, tha më tej emisari Sarrazin.

    Në diskutimin me temë “Rruga përpara mbi nismat e integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor” nuk pati të ftuar nga Kosova. Ministrja serbe për Integrime Evropiane, Tanja Mishqeviç tha se në vendin e saj është shumë e vështirë të flitet për integrim evropian kur temat që mbizotërojnë janë zhvillimet në veriun e Kosovës apo marrëdhëniet me Rusinë.

    “Të gjitha palët duhet të jenë të gatshme për dialog dhe zgjidhje të problemit. Serbët vendosen të largohen nga institucionet e Prishtinës pasi thanë që zëri i tyre nuk u dëgjua asnjëherë. Mirëpo, pajtohem që është shumë e rëndësishme për të gjithë që të përdoret kriza aktuale për të gjetur zgjidhje”, tha Mishqeviç.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark