×
  • Lajme
  • Fokus 3

    Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë 14 marrëveshje

    Insajderi
    02 October 2020 - 15:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nën moton “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij” është mbajtur mbledhja e gjashtë e dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë mbledhje dy qeveritë nënshkruan 14 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

    Në mbledhjen e të dy qeverive, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u shpreh se takimet ndërqeveritare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë një mundësi shumë e mirë, qoftë për të bërë një bilanc të hapave të hedhur, qoftë për të hedhur piketat për hapat e mëtejshëm.

    Rama tha se hapat e hedhur nuk janë të vegjël megjithëse tha se distanca deri në përmbushjen e tyre mbetet e madhe. Ai tha se të gjitha dokumentet e nënshkruara nga mbledhja e Pejës janë në zbatim ose procesi i zbatimit të tyre ka përfunduar.

    Teksa foli për kontrollin e përbashkët në pikëkalimin kufitar Morinë-Vërmicë, Rama tha se tashmë ambicia është tek heqja e kufirit mes dy shteteve shqiptare.

    Rama: Ambicia jonë është heqja e kufirit

    “Kontrolli kufitar në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë, funksionon sipas parimit një ndalesë një kontroll dhe pavarësisht një fluksi të madh edhe në këtë sezon kemi vënë re se lëvizja e qytetarëve ka qenë më e relaksuar në kohën e pikut duke shmangur një vazhdimësi shqetësuese radhësh të gjata, dukuri e zakonshme e kohëve më parë. Kjo natyrisht fal punës së mirë të strukturave policore dhe kufitare dhe bashkëpunimit të ngushtë mes tyre. Por, pa dyshim kjo nuk mjafton dhe ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të Bashkimit Evropian në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota po ashtu heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që është e rëndësishme që të dy ministritë e Punëve të Brendshme të intensifikojnë punën për të krijuar databazën e përbashkët dhe për të mundësuar kontrollin në kohë reale të hyrje-daljeve në të gjitha pikave kufitare të perimetrit tonë të përbashkët, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbur asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktivitetit të paligjshëm”, tha ai.

    Kryeministri Rama tha se së shpejti do të firmoset marrëveshja mes dy qeverive edhe për hyrje-daljen e mallrave të përbashkëta në portin e Durrësit, duke e kthyer në një port “de facto” për Kosovën.

    Rama: Shndërrimin e portit të Durrësit “de facto” edhe të Kosovës

    “Marrëveshja që së shpejti do të firmosim në javët e ardhshme për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella për procedurat doganore dhe kontrollin e hyrje-daljes së mallrave, faktikisht na çon në një destinacion deri përpara disa vitesh të paimagjinueshëm. Shndërrimin e portit të Durrësit ‘de facto’ edhe të Kosovës, stacioni i vetëm ku hyrja e të gjitha mallrat për në Kosovë nga pamja legjislative dhe juridike do të trajtohet si një hyrje në Kosovë në momentin kur mallrat zbarkohen në Durrës. Ky është një hap i rëndësishëm drejtë realizimit të objektivit që porti i Durrësit të kthehet në një port strategjik jo vetëm për të gjithë hapësirën mbarëshqiptare, por edhe për atë rajonal. Gjë që e kam konstatuar me shumë kënaqësi si fakt edhe në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington pak javë më parë”, tha ai.

    Me këtë marrëveshje, Rama tha se do të mundësohet edhe ligjërisht edhe nga ana procedurale kryerja e kontrollit të përbashkët, njohjen automatike të agjentëve doganor të të dyja vendeve, njohjen e garancive, lehtësi këto që shënojnë hapjen e një kapitulli të ri të drejtë realizimit të objektivit të një bashkimi të mirëfilltë doganor në vitet që vijnë.

    Kryeministri i Shqipërisë foli edhe për, siç tha ai, përparimin e Kosovës në rrafshin diplomatik, që sipas tij takimi i Uashingtonit, rihapja e dialogut me Serbinë, përparimi në agjendën e reformave evropiane, janë disa prej shenjave të përparimit diplomatik të Kosovës.

    Sa i përket dialogut, Rama tha se dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje, çdo bishtnim nga dialogu tha se krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe në “megjelisin mediatik lokal”, por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës.

    Mos liberalizimin e vizave për Kosovën, Rama e ka quajtur turp për Bashkimin Evropian.

    Rama: Mos liberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për Bashkim Evropian

    “Konsensusi i brendshëm sa i për sa i takon qëndrimit ndaj dialogut në funksion të forcimit pozitave negociuese të Kosovës është një domosdoshmëri që unë uroj dhe shpresoj të mbetet e tillë në sytë e të gjithë atyre që garantojnë sot këtë konsensus. Mendoj që sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë, qoftë edhe rezultatet e marrjes së një rruge me perspektivë. Në shumë pak kohë u arrit të restaurohej një krisje shumë e madhe që pati pasoja jo të vogla mbi Kosovën dhe u arrit të hidhej një hap për të cilin jam i bindur që çdo ditë dhe çdo vit që kalon do të flas gjithmonë e më mirë në Uashington. Nuk e di çka duhet të besoj lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk më mbetet vetëm të përsëris mos liberalizimi i vizave për Kosovën është një turp për Bashkim Evropian, një turp i pashlyeshëm dhe i pa justifikueshëm për sa kohë mos liberalizimi i merituar jo sot po prej disa kohësh mbetet në fuqi, jo për arsye se Kosova nuk ka bërë detyrat, po për arsye se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme në vende të caktuara të BE-së, Kosova është marrë peng i logjikës elektorale në vende të ndryshme të BE-së dhe Kosova duhet të pres si mbarojnë një palë zgjedhje në një vend kur ka zgjedhje në një vend tjetër”, tha ai.

    I pari i Qeverisë shqiptare, foli edhe për projektin e minishengenit Ballkanik, për çka tha se është një projekt i rinisë shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri.

    Rama: Projekti i shengenit rajonal është projekti i rinisë shqiptare

    “Projekti i shengenit rajonal është projekti i rinisë shqiptare, i rinisë shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe kudo qoftë, i të gjithë atyre që ende sot janë në kopsht, në shkollën fillore, në një moshë pa të drejtë vote dhe për të cilët është përgjegjësia jonë për të vendosur. Është projekti i të rinjve sepse është projekti i daljes përfundimtare nga kurthi i historisë dhe i spostimit tonë në një hapësirë më të madhe që do të na japë frymëmarrje më të madhe dhe do të kthejë këtë rajon nga një vrimë e zezë në perceptimin e të tjerëve, në një zonë atraksionesh për investime dhe do të kryejë një mbështetje të madhe për të gjithë për integrimin përfundimtar në BE. Nuk duhet të jetojmë me iluzione, duhet të jetojmë me realitetin dhe duhet ta shohim realitetin sa më shumë me sytë e atyre që janë më të vegjël. Besoj se bashkëpunimi ynë në këtë drejtim sot është i hapur plotësisht. Koha e mureve ideo-psikologjike besoj se ka kaluar, ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta bëjmë atë kohë të pakthyeshme, duke i kryer një nga një të gjitha detyrat që imponon vendosja e të katër lirive të BE-së në radhë të parë në territorin mes nesh ku nuk na pengon askush dhe nuk kemi nevojë as për përkthyes për marrëveshjet e përbashkëta, sepse i shkruajmë në të njëjtën gjuhë”, tha kryeministri Rama.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive tha se përmes marrëveshjeve që sot po nënshkruhen po tregohet një vendosmëri që bashkërisht të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e ekonomia e dy vendeve. Ai tha se lista e marrëveshjeve të sotme po niset një fazë e re e bashkëpunimit në të gjitha fushat në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Shefi i ekzekutivit kosovar, Avdullah Hoti foli edhe për përballjen e Kosovës me pandeminë e COVID-19 dhe ndikimin e saj në ekonominë kosovare, për çka tha se përkundër efektit të pandemisë, vitin 2020 Kosova mund ta mbyll me një rënie ekonomike -1 deri në 3 për qind.

    Kryeministri i Kosovës foli edhe për dialogun Kosovë-Serbia, proces të cilin e cilësoi si sfidë për qeverinë.

    Hoti shprehu bindjen se me qasjen e qeverisë që kryeson ai shpejt do të lëvizet drejt përmbylljes së këtij procesi që ndikon edhe në stabilizimin dhe integrimin euro-atlantik për të gjitha vendet e rajoni.

    Hoti: Procesi i dialogut mbetet sfidë për qeverinë e Kosovës

    “Procesi i dialogut mbetet sfidë për qeverinë e Kosovës falënderoj kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme dhe mesazhet e qarta që vazhdimisht i dërgon lidhur me këtë temë .Ne e kemi dorëzuar një platformë të qartë të dialogut e cila duhet të them se është e pranueshme për partnerët tanë ndërkombëtar dhe mbi bazën e kësaj platforme besoj që po lëvizim mirë përpara. Disa tema që deri tash i kemi hapur në Bruksel janë kornizuar në terma të përgjithshëm sigurisht që ky proces do ketë sfida por unë jam i bindur që me qasjen që kemi ndërtuar së bashku si partnerë të koalicionit dhe me konsensusin shoqëror që kemi ndërtuar në Kosovë për këtë proces mund të lëvizim shpejt përpara për të përmbyllur këtë çështje dhe për ta stabilizuar përfundimisht regjionin dhe për të siguruar integrime euro-atlantike së bashku për të gjitha vendet në rajon”, tha ai.

    Ai tha se në fillim të mandatit të tij si kryeministër i Kosovës është dashur të marr vendime jo populiste me qëllim që të rivendosen marrëdhëniet me partnerët strategjik siç janë BE dhe SHBA-të për të cilat tha ishin lënduar në të kaluarën.

    Hoti: Qeveria u përballë edhe rivendosjen si duhet të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar që ishin lënduar

    Video

    “Më lejoni të them se gjatë këtyre tre muajve kemi pasur mjaftë sfidë me diplomacinë tonë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe me të gjithë resorët pa përjashtim për të rivendosur si duhet marrëdhëniet tona me partnerët tanë natyrshëm strategjik që kemi pasur gjithmonë Bashkimin Evropian dhe vendet kyçe të BE-së dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, marrëdhënie të cilat realisht ishin lënduar në kohët e fundit. Na është dashur të marrim vendime jo popullsite në fillim të mandatit por tepër të nevojshme për të dhënë atë sinjalin që si qeveri duhet të shihemi si kontribuues të paqes dhe stabilitetit në regjion dhe më gjerë dhe të punojmë së bashku drejt arritjes së objektivave përfundimtare që është një regjion i qetë dhe stabil me një marrëveshje përfundimtare me fqinjin tonë verior dhe ku i gjithë regjioni së bashku lëvizim drejt integrimeve euro-atlantike”, tha ai.

    Momentum të ri për të gjithë Ballkanin Perëndimor e ka quajtur nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes Kosovës dhe Serbinë të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

    Në këtë mbledhje kryeministri kosovar foli edhe për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nga aty ai deklaroi se nuk duhet të shahet Bashkimi Evropian , por shteti i Kosovës duhet të kujdeset që të plotësojë të gjitha kriteret gjatë gjithë kohës që kërkohen në këtë drejtim.

    Hoti: Për liberalizimin e vizave mos ta shajmë BE-në, por t’i ruajmë kriteret që i plotësuam

    Video

    “ Mbetemi vendi i vetëm në regjion pa liberalizimin e vizave po mundemi që gjatë kërkesës tonë që ne të kemi liberalizimin e vizave sa më shpejt të mos e shajmë shumë BE-në por të tregojmë vendosmërinë tonë që të mbajmë të plotësuara dhe mirë të plotësuara të 95 kritereve që I kemi plotësuar në vitin 2018. Besoj që është krijuar një momentum i ri me marrëveshjen që është nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, një momentum i ri për Kosovën për Serbinë dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe përtej Ballkanit Perëndimor duke integruar në këto rrjetet infrastrukturore dhe energjetike edhe vendet e tjera me të drejtë kjo marrëveshje potencohet si historike dhe unë besoj që me kalimin e kohës I gjithë spektri politik në Kosovë do ta ketë të qartë për rëndësinë e këtij hapa të madh drejt hapit final të stabilizimit të regjionit.”, u shpreh Hoti.

    Në këtë mbledhje të gjashtë të të dy kabineteve qeveritare, ministrat e të dy qeverive kanë paraqitur marrëveshjet e arritura.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj, foli për marrëveshjen mes ministrisë që drejton me Ministrinë për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e grupit të punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.

    Haradinaj: Është një hap drejtë zgjimit real kombëtar

    Video

    “Vizitën e parë zyrtare e pata zhvilluar në Luginën e Preshevës, andaj më lejoni t’ju them sot që shqiptarët atje janë të shtypur, u shkelën të drejtat themelore, i ç’popullojnë në mënyrë arbitrare vetëm për të minimizuar rolin dhe qenësinë e tyre dhe kjo duhet të na alarmojë të gjithëve. Në anën tjetër ata na dhanë mësim edhe neve të dy shteteve shqiptare se si bashkimi realisht bënë fuqinë, duke nxjerrë tre deputetë shqiptar pas një unifikimi historik do të thosha të faktorit shqiptar atje. Fondi që po zotohemi të ngrisim sot është mbase edhe minimalja, por është një hap drejtë zgjimit real kombëtar, për ata që nuk i kemi sot nën ombrellën tonë shtetërore. E njësoj edhe për shqiptarët në Mal të Zi, gati pothuajse të harruar por që nuk ishin dorëzuar asnjëherë së besuari në ne, andaj është obligim dhe detyrë, e mbi të gjitha edhe nder që t’iu vihemi edhe atyre në shërbim me të gjitha kapacitetet”, tha ajo.

    Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka, paraqiti marrëveshjen mes dy vendeve për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste fatkeqësish Natyrore dhe fatkeqësive të tjera.

    Xhaçka: Për të forcuar bashkëpunimin për mbrojtje civile

    Video

    “Marrëveshja që firmosim sot për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste fatkeqësish natyrore dhe fatkeqësive të tjera vjen si produkt i dëshirës tonë të dyanshme dhe i përputhjes së objektivit të dy qeverive për të forcuar bashkëpunimin për mbrojtje civile. Por, mbi të gjitha është një marrëveshje e cila do t’i bëjë qytetarët shqiptar në të dyja anët e kufirit më të sigurt përballë rreziqeve dhe kërcënimeve nga emergjencat, të cilat jemi të gjithë dëshmitarë na janë kthyer në një sfidë të vërtetë gjatë viteve të fundit. Unë besoj që bashkëpunimi dhe krijimi i sinergjive mes Shqipërisë dhe Kosovës është i natyrshëm dhe i dëshiruar në çdo fushë dhe në çdo sektor, por emergjenca civile besoj fort janë një fushë ku ky bashkëpunim është më i natyrshëm dhe më i lehtë për t’u realizuar se kudo tjetër.

    Ministrja e Mbrojtjes tha se tërmeti i 26 nëntorit ishte shembulli më i fundit i kësaj tradite kur Kosova ishte e para që kishte nxituar t’i ndihmonte në momentin e tragjedisë duke dërguar ekipe shpëtimi.

    Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Agim Veliu, ka paraqitur marrëveshjen në fushën e sigurisë në mes të dyjave vendeve.

    Veliu: Ky protokoll do t’i mundësoj dy vendeve tona që të bashkëpunojnë mes tyre

    Video

    “Globalizimi i kërcënimeve dhe kompleksiteti i çështjeve ndërkombëtare të sigurisë paraqet një sfidë më të madhe për agjencitë e zbatimit të ligjit në riformimin e ndërveprimit në mes agjencive dhe e bënë më të nevojshëm se kurrë më parë bashkëpunimin efektiv policor. Bashkëpunimi efektiv mes autoriteteve të zbatimit të ligjit të shteteve tona me qëllim të parandalimit, luftimit të krimeve të rënda ndërkufitare dhe terrorizmit ka ndodhur tradicionalisht mbi baza ad-hoc. Me qëllim që vendet tona të kenë një bashkëpunim të kornizuar unë prezantoj para jush sot protokollin për ndryshim dhe shtesë në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë. Ky protokoll do t’i mundësoj dy vendeve tona që të bashkëpunojnë mes tyre edhe përmes përdorimit të përbashkët të oficerëve të kontaktit ose ndërlidhës në vendet ku njëra nga palët nuk përfaqësohet me oficer kontakti ose ndërlidhës, me kusht që të jetë marrë pëlqimi i vendit pritës”, tha ai.

    Veliu tha se protokolli është në frymën e interesave të përbashkët të sigurisë dhe bazohet në nenin 17 të të marrëveshjes mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë.

    Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë Anila Denaj, ka prezantuar dy marrëveshje që janë nënshkruajtur mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Denaj: Forcon bashkëpunimin për çështjen e punësimit

    “Sot nënshkruajmë protokollin ndryshues të marrëveshjes për shmangien e Tatimit të dyfishtë mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin si dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal. Çfarë synojmë, të zgjidhim problematikën e zbatimit të devidentit duke saktësuar se të drejtën e taksimit e ka edhe vendi i burimit të të ardhurës. Përcaktojmë tatimin e të ardhurës nga të drejtat e pronësisë edhe për vendin e burimit, dakordësojmë standardet minimale dhe rregullat për shmangien e abuzimeve në marrëveshjet e taksimit të dyfishtë dhe përditësojmë disa nene, modelet më të mira ndërkombëtare…Marrëveshja kuadër pritet të nënshkruajmë me dy ministrive tona dhe forcon bashkëpunimin për çështjen e punësimit dhe arsimit profesional bazuar mbi orientimet e BE-së, zotime që dalin nga procesi i Berlinit, bashkëpunimin ndër kufitar në kuadër të përafrimit të masave në lidhje me mobilitetin në punë dhe praktikat e përbashkëta”, tha ai.

    Për mobilitetin në punë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u shpreh se të funksionoj sa më shpejtë që të mos ketë probleme, siç tha ai, pa lidhje për njerëzit që duan të punojnë nga Kosova në Shqipëri apo anasjelltas.

    Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës Skënder Reçica, tha se me këtë marrëveshje po përmbushin nevojën për lëvizje të lirë të punëtorëve.

    Reçica: Lëvizja e fuqisë punëtore do të jetë në të mirë të të qytetarëve

    “Ne Kosova dhe Shqipëria sot po përmbushim nevojën e qytetarëve për lëvizje të lirë të punëtorëve, po hapim horizontet e bashkëpunimit dhe integrimit andej dhe këndej kufirit. Lëvizja e fuqisë punëtore do të jetë në të mirë të të qytetarëve të të dy vendeve tona, sepse do të përmbushen nevojat e tregut të punës me fuqi punëtore sipas nevojave, do të merren trajnime profesionale kudo në Kosovë e Shqipëri dhe këto aftësi të fituara do të ndikojnë që qytetarët të punësohen andej e këndej kufirit. Nga sot një korçar dhe shkodran mund të merr shërbime në Prishtinë e Prizren, një gjilanas në Vlorë a në Elbasan sikur të punësohet në qytetin e tij pa barriera burokratike dhe pa pengesa ligjore”, tha ai.

    Ai tha se do të angazhohet fuqishëm që kjo marrëveshje të jetësohet dhe të gjejë zbatim në praktikë.

    Më poshtë është lista e marrëveshjeve, memorandumeve, protokolleve dhe dokumenteve tjera të miratuara nga Qeveria e Kosovës:

    1. Protokoll shtesë i Marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, në përballje me COVID-19;
    2. Kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
    3. Marrëveshje për bashkëprodhim të filmit ndërmjet Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë;
    4. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë;
    5. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës Së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim dhe Ndihmë të Ndërsjellë në Raste të Fatkeqësive Natyrore dhe Fatkeqësive të Tjera;
    6. Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë për Mobilitetin në Punë;
    7. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë për Platformën e Përbashkët Digjitale të Arsimit Para universitar;
    8. Protokoll për Ndryshim dhe Shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë;
    9. Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë;
    10. Protokoll Ndryshues i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Shmangien e Tatimit të Dyfishtë Lidhur me Tatimet mbi të Ardhurat dhe mbi Kapitalin dhe për Parandalimin e Evazionit Fiskal;
    11. Marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e Grupit të Punës për krijimin e Fondit të Përbashkët në Mbështetje të Luginës së Preshevës ;
    12. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë mbi Bashkëpunimin në fushën e Transportit Hekurudhor;
    13. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë;
    14. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të Ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark