Me baltë e zhgënjim të madh. Kështu merr fund kampanja kualifikuese për Kosovën.
Madje, pas shortit, “Dardanët” e kishin synim kualifikimin historik në Evropian të paktën nga pozita e dytë.
E kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por Kosova i mbylli këto kualifikime në pozitën e parafundit në grupin I.
Kosova e mbylli më keq sesa që e nisi kampanjën kualifikuese për Euro 2024.
Barazimet me Izraelin dhe Andorrën ishin pikënisje për tatëpjetën të cilën e mori Kosova në këto kualifikime.
Sonte, në një fushë të baltosur, Kosova u mposht nga Bjellorusia me rezultat 0:1.
Ishte kjo humbja e dytë nga Bjellorusia në këto kualifikime.
Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 43-të, kur Antilevskiy shënoi gol të bukur.
Kosova i mbyll kualifikimet në vendin e pestë (të parafundit) me 11 pikë.
Prapa “dardanëve” ishte vetëm Andorra me dy pikë, njërën nga të cilat e kishte fituar pikërisht nga Kosova.