10:45 - 09 Mars 2023

Kosova këtë vit ka shënuar progres prej katër pikësh në renditjen e Freedom House, duke u renditur në vendin e 56, si shtet pjesërisht i lirë.

Sipas, përfaqësueses së kësaj organizate, Amy Slipowitz shkak i këtij përparimi është përfshirja e individëve të grupeve të margjinalizuara në  institucionet qeveritare.

“Ndër arsyet e përmirësimit ishin të drejtat politike. Rrjetet klienteliste kanë më pak ndikim në qeverinë aktuale, dhe gjithashtu ka pasur një rritje të përfaqësimit të grupeve të ndryshme si gratë e përkatësisë kombëtare serbe dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT plus, në institucionet qeveritare, por edhe në jetën politike në përgjithësi. Pastaj sa u përket të drejtave qytetare, liria akademike ka fituar terren në Kosovë. Ka më pak ndikim politik në emërimet e drejtuesve të universitetit”, ka thënë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Në raport thuhet se 84 vende të botës përfshihen na kategorinë e vendeve të lira, ndërsa 57 në vende jo të lira.

Slipowitz tha se Shqipëria nuk shënoi ndonjë ndryshim nga e kaluara.

“Nga ana pozitive, liria fetare dhe liria e tubimit janë përgjithësisht fusha të respektuara. Ka fusha që mund të përmirësohen. Partitë politike janë shumë të polarizuara dhe korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten ende probleme serioze”, ka deklaruar ajo.

Hendeku midis numrit të vendeve që shënuan përmirësime të përgjithshme të të drejtave politike dhe lirive civile dhe atyre që regjistruan rënie të përgjithshme gjatë vitit 2022 ishte më i ngushti në 17 vitet e përkeqësimit global të shkallës së lirisë, thuhet në raportin e 50 më radhë të Freedom House mbi liritë në botë.

Rënia dramatike e të drejtave politike dhe lirive qytetare gjatë vitit 2022 u shkaktua nga sulmet e drejtpërdrejta ndaj institucioneve demokratike, qoftë nga forcat ushtarake të huaja apo zyrtarët vendas.

Ndryshe, Freedom House është organizatë me bazë në Washington, e cila kryen hulumtime në lidhje liritë politike, të drejtat e njeriut dhe demokracinë./Insajderi