×
  • Sport
  • Sport

    Kreu i KOK-ut optimist: Sportistët tanë do të fitojnë disa medalje në Tokio 2020

    Insajderi
    22 July 2021 - 18:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka deklaruar se nëse Ekipi Olimpik i Kosovës do të ketë vetëm pak fat, ata do të arrijnë t’i fitojnë disa medalje në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Derisa flet për ngritjen cilësore të ekipit që po përfaqëson Kosovën, thekson se shteti i Kosovës duhet të investojë maksimalisht në sport.

    I pari i KOK-ut po qëndron këto ditë në Tokio, së bashku me një delegacion të komitetit, në përkrahje dhe sigurimin e kushteve për ekipin olimpik, por gjithashtu po zhvillon edhe disa takime, të cilat pritet të rezultojnë me marrëveshje bashkëpunimi në mes Kosovës dhe shteteve që kanë përvojë më të madhe në Lojërat Olimpike.

    Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se të gjithë garuesit e vendit tonë kanë dal negativë në testin për Covid-19 dhe janë vendosur në fshatin olimpik.

    Ai ka thënë se të gjitha vendet kanë garues të përgatitur, ashtu siç ka edhe vendi ynë. Ndërsa, se kush do të fitojë, është edhe çështje fati.

    “Nëse kemi pak fat besoj që ne nuk do të kthehemi pa disa medalje duke pas parasysh që i kemi 6 norma olimpike dhe sportistë si nga xhudo dhe mundja, janë në top 10 botërore, kështu që janë shumë serioz për medalje“, tha ai.

    Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të investojë edhe më shumë në sport, pasi është sporti ai që po na bën krenarë çdo ditë e më shumë.

    “Me të thënë thjeshtë, aq sa investojmë, aq kemi edhe rezultate. Nëse investojmë më shumë do të kemi rezultate edhe më të mëdha. Unë besoj që Kosova tash duhet të mendoj pak më ndryshe, shteti i Kosovës të investojë në sport sepse sporti çdo ditë e më shumë po na bën krenarë dhe përmes sportit ne mund të fitojmë shumë në zhvillimin dhe rritjen e pijarit të Kosovës, domethënë të gjithë ne këtu sot prezantojmë Kosovën, me të gjithë uniformën që e kemi Kosova, prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai, derisa shton se shumë vende kanë interesim për vendin tonë në këto lojëra.

    “Ndoshta e keni vërejtur edhe ju që interesin është shumë i madh për Kosovën sepse është interesant për ata një shtet i ri dhe kam pas shumë raste që shumë shtete më kanë pyetur në lidhje me mendimin që ju thatë se çka presim në këtë olimpiadë sepse të gjithë e dinë se Kosova për herë të parë u bë anëtare me drejta të plota dhe pjesëmarrës në lojërat olimpike Rio 2016 dhe hiq më pak duke fituar medaljen e artë nga Majlinda Kelmendi dhe besoj që shumica e kanë fokusin nga Kosova se çka do të ndodhë në këto ditë të olimpiadës 2020 “, tha ai.

    Duke krahasuar me Rio 2016, ai thotë se Kosova në Tokio 2020, po përfaqësohet me më shumë sportistë por edhe me më shumë cilësi.

    “Ne e kemi fokus që çdoherë në çdo olimpiadë të kemi sa më shumë sportistë të cilën e kemi dëshmuar edhe në këtë rast sepse në Rio 2016 kemi pas 8 sportistë dhe dy norma olimpike. Kurse, sot në Tokio 2020, i kemi 11 sportistë dhe 6 norma olimpike. Me këtë arritje tregon që ne kemi punuar dhe kemi ngritje edhe në cilësi, edhe në numër të atletëve dhe shpresoj që në Paris 2024, të kemi edhe më shumë atletë, edhe më shumë norma olimpike. Ky është synimi dhe qëllimi jonë dhe këtu duhet të kemi përkrahjen maksimale të shtetit sepse pa investime, sidomos në infrastrukturë dhe mbështetje të federatave dhe sportistëve, ne nuk mund të kemi atletë më shumë por edhe më të mirë “, tha ai, duke shtuar se këtë vizitë po e shfrytëzon edhe për marrëveshje bashkëpunimi me shtete të ndryshme, e të cilat do t’i nënshkruajnë së shpejti.

    “Unë kam aranzhuar shumë takime me shumë shtete të ndryshme, me disa shtete do të nënshkruajmë edhe memorandum bashkëpunimi, këto ditë pas hapjes solemne. Ky është edhe qëllimi im që të bëjë lidhje sa më të forta me shumë shtet tjera që kanë përvojë shumë më të madhe në lëvizjet olimpike“, tha ai.

    Komiteti Olimpik i Kosovës ka 11 sportistë të konfirmuar, prej tyre gjashtë me normë olimpike, të cilët do të përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

    Përndryshe, nesër në ora 13:00 mbahet ceremonia zyrtare e hapjes së Lojërave Olimpike Tokio 2020, të cilat do të zgjasin deri më 8 gusht. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark