×
Insajderi / Insajderi

Krivaqa kishte qarë në seancën e parë, tani deklarohet i pafajshëm

Insajderi
26 October 2022 - 11:13

Seanca fillestare për vrasjen e Marigona Osmanit ishte mbajtur më 14 korrik të këtij viti.

I akuzuari për vrasjen e Osmanit, Dardan Krivaqa ishte mbrojtur në heshtje. Por me të filluar seanca, Krivaqa kishte thënë se nuk është në gjendje të flas dhe kishte filluar të qante, shkruan Insajderi.

Ndërsa sot, në seancën e shqyrtimit gjyqësor, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të dy të akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit janë deklaruar të pafajshëm.

“Më vjen keq, i shprehi ngushëllime familjes, sigurisht që familjes tem i vjen shumë keq. Ajo që thotë prokurori nuk ka ekzistuar kurrë dhe nuk ekziston. S’ka të bëjë me atë që e thotë prokurori”, tha Krivaqa.

Kurse Sejdiu, ka deklaruar shkurt se nuk e pranon fajësinë.

Krivaqën prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit. /Insajderi

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark