20:35 - 15 Mars 2023

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, gjatë një fjalimi në Berlin, ka thënë se lufta në Ukrainë ka qenë një pikë kthese kritike gjeopolitike dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë në agjendë edhe zgjerimin e BE-së, edhe pse integrimi i vendeve të tjera në BE do të jetë i vështirë”, ka deklaruar Kristersson.

“Alternativa është t’i jepet liri ndikimit rus dhe kinez. Ky do të ishte rezultati më pak i dëshirueshëm si për BE-në, e që është edhe më e rëndësishme, edhe për të gjitha vendet aspirante në fqinjësinë tonë”, ka thënë ai.

Suedia aktualisht mban presidencën e radhës me BE-në, ndërsa Kristersson ka theksuar rëndësinë e reformave institucionale brenda BE-së në mënyrë që të mund të integrohen anëtarë të rinj.

“Kur Ukraina dhe vendet e tjera kandidate të jenë gati për t’iu bashkuar BE-së, ne që jemi tashmë pjesë, duhet të jemi të përgatitur për t’i mirëpritur ata”, tha ai./Insajderi

Tags: , , ,