×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kthehen kompetencat e kontrollit të karburanteve te Dogana e Kosovës

    Insajderi
    07 May 2021 - 19:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se ka marrë vendim që të anulojë dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ për 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.

    Sipas Hajdarit, ky udhëzim, jashtëligjshëm i ka bartur kompetencën e kontrollit të konformitetit të karburanteve, nga Dogana e Kosovës, te kompanitë private të lidhura me ish-pushtetarët. Ndërkohë që, me vendimin e sotëm, i është kthyer kjo kompetencë sërish Doganave.

    “Përveç autoritetit ligjor, Dogana ka kapacitetet më të larta për të kontrolluar cilësinë e naftës dhe derivateve dhe për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin në Republikën e Kosovës. Laboratori i Doganës, që u mbyll kundërligjshëm nga ish-ministri, është investim mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit. Vendimi i sotëm siguron sundimin e ligjit dhe mbron kontributin e tatimpaguesve”, ka thënë Hajdari në një postim në Facebook.

    Në vendimin e ministres thuhet se “Anulohen neni 1, paragrafët 2 dhe 3 të nenit 2, nenet 3 deri 53, nenet 58 dhe 59 si dhe paragrafi 2 i nenit 60 të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr.09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës dhe se Detyrohen organet përgjegjëse të zbatojnë Udhëzimin administrativ (MTI) nr.01/2017 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës”.

    Në nenin 1 të Udhëzimit Administrativ 09/2020 thuhet se “Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohen vlerat e lejuara të përbërësve dhe të treguesve të cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës, metodat për testim, mënyra e mbikëqyrjes dhe monitorimit të cilësisë së karburanteve”, ndërkaq paragrafët 2 dhe 3 të nenit 2, përcaktojnë si produkte të lëngëta të naftës vetë naftën dhe kerozinën.

    Nenet e tjera të anuluara të Udhëzimit Administrativ 09/2020 kanë të bëjnë me vlerat e lejuara të përbërësve dhe treguesve të cilësisë së derivateve të naftës.

    Hajdari ka bërë të ditur po ashtu se sot ka emëruar një grup punues që do të përmbyllë hartimin e Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë.

    “Ne do të angazhohemi që ky projektligj t’i paraqitet për miratim Kuvendit të Republikës brenda 100 ditëve të para të qeverisë Kurti II”, ka thënë ajo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark