×
  • Sport
  • Sport

    “Ku janë 1 milion euro”, Remzi Ejupi akuzon udhëheqësit e FFK’së: I kanë dhënë vetës të drejtë të manipulojnë

    Insajderi
    24 January 2023 - 11:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi ka kritikuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për mos transparencën e saj në ndarjet e mjeteve për klubet. Ai ka akuzuar FFK’në se rreth një milion euro që vijnë nga solidariteti i UEFA’së, nuk i kanë gëzuar asnjëherë klubet kosovare.

    Në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini të dielën u bisedua për zhvillimet e fundit në futbollin kosovar, ku temat kryesore ishin (mos) licencimi i FFK’së nga MKRS dhe rreth draft-statutit skandaloz.

    Megjithatë, Ejupi përveç kësaj bëri të ditur se skuadrat kosovare nuk janë fare në dijeni për përshkrimin e mjeteve që marrin nga FFK’ja.

    ”Tash që tre vite klubet marrin mjete, por pa përshkrim për çfarë janë ato mjete. A janë nga marketingu, a janë nga drejtat televizive, a janë nga solidaritet i UEFA’së, a janë nga FIFA, nuk e dimë. Domethënë vetëm gjuajnë mjete, por nuk e dimë për çka janë ato mjete,” ka thënë ai.

    Ai vazhdoi duke akuzuar FFK’në se nuk i ka ndarë mjaftueshëm mjetet nga solidariteti i UEFA’së.

    ”Kurse, mjetet të cilat janë të solidaritetit tash e sa vite ku Kosova është ranguar pas daljes së Prishtinës, Trepçës’89, Feronikelit, Dritës dhe Ballkanit në garat europiane, dikund rreth një milion euro janë vetëm mjete të solidaritetit të cilat klubet prej kur jemi pranuar nuk i kemi gëzuar ato dhe nuk e dimë pse nuk ndahen. Janë ndarë nga një pjesë, por pa përshkrim sepse të gjithë klubet kanë marrë mjete, por jo të mjaftueshme të cilat janë dedikuar,” ka thënë Ejupi.

    Sipas tij Komiteti Ekzekutiv i Federatës i ndanë ato mjete ku dëshiron dhe ”një apo dy njerëz” vendosin cilave klubeve të ju ndihmojnë.

    ”Komitetit Ekzekutiv i FFK’së ia ka dhënë vetës atë drejtë të manipulojë dhe t’i ndajë ato mjete ku dëshiron. Nganjëherë edhe klubeve pa i pyetur hiç, po e ndihmojmë këtë klub, po ia bëjmë këtij klubi domethënë vendosin një apo dy njerëz. Kjo është ajo se nuk ka transparencë as në ndarjen e mjeteve as në gjërat e tjera,” ka thënë ai.

    Kujtojmë se edhe në të kaluarën Remzi Ejupi kishte akuzuar FFK’në për ”keqpërdorime” të mjeteve financiare. Ai kishte thënë se mbi 45 milionë euro ishin të hyrat nga FIFA dhe nuk dihet se ku kanë shkuar ato para.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark