Kur Ragip Xhaka premtonte se djemtë e tij do të luajnë për Kosovën – Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Kur Ragip Xhaka premtonte se djemtë e tij do të luajnë për Kosovën

    Insajderi
    30 June 2016 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Katër vjet më parë, Ragip Xhaka, babai i vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka, që përfaqësojnë Zvicrën dhe Shqipërinë, kishte dhënë një intervistë për Gazetën “SPORT” në Kosovë, se djemtë e tij do të luajnë për Kosovën, pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

    Sot, pasi Federata e Futbollit e Kosovës është pranuar në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit, Ragipi prej disa ditësh ka ndryshuar qëndrimin e tij duke dhënë deklarata kontradiktore.

    Ragipi e kishte quajtur mafioz kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, disa ditë para ndeshjes Zvicër – Shqipëri, që luhej në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2014.

    Në pyetjen se: “Graniti dhe Xherdani kanë deklaruar për mediet zvicerane se mund të luajnë për Kosovën pas pranimit në UEFA dhe FIFA”, Ragip Xhaka kishte dhënë një premtim të madh për djemtë e tij, shkruan Gazetaolle.com.

    “Jo mund të luajnë, por ju them që tani se djemtë e mi, Graniti dhe Taulant do të luajnë për Kosovën. Ata janë të Kosovës me rrënjë, nuk janë të Shqipërisë, dhe ata do të luajnë për Kosovën. Për këtë do të bindeni kur të pranohet Kosova në UEFA e FIFA”, pati thënë Ragipi.

    Disa ditë më parë, gjatë dhe pas aventurës së Shqipërisë në EURO 2016, Ragipi foli për mediet shqiptare, duke hequr dyshimet nëse Graniti ose Taulanti do të luajnë për Kosovën.

    “Taulanti e ka zgjedhur Shqipërinë dhe do të rrijë me Shqipërinë. Ai nuk do ta tradhtojë kurrë Shqipërinë. Ndërsa Granit Xhaka ka konfirmuar se nuk do të luajë për Kosovën, por do të mbetet pjesë e Zvicrës”, tha ditë më parë Ragipi për Panorama Sport.

    Granit Xhaka është transferuar këtë verë në klubin e njohur anglez, Arsenal, për shumën e 40 milionë sterlinave. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark