Ajo është një nga erëzat më të preferuara të amvisave shqiptare.
Qytetërimet e lashta të Egjiptit, Romës dhe Greqisë e konsideronin rozmarinën, një barishte të shenjtë.
Ajo përdoret për të përmirësuar kujtesën dhe është e pasur me ushqyes të dobishëm për organizmin.
Përdorimet e rozmarinës për shëndetin janë të panumërta.
Një prej tyre është për përmirësimin e shëndetit të flokut.
Në këtë artikull do të mësoni se si të kombinoni rozmarinën me uthullën e mollës për tu dhënë flokëve shëndet, dendësi dhe shkëlqim.
Kura me rozmarinë dhe uthull molle për shëndetin e flokut
Rozmarina përmban shumë vajra esencialë të cilët e ushqejnë flokun nga rrënja tek majat.
Uthulla e mollës nga ana tjetër është një produkt natyral i shkëlqyer për shëndetin e flokut.
Ajo përmirëson shkëlqimin natyral dhe u jep flokëve një paraqitje të shëndetshme sepse ka efekt pastrues nga mbetjet e ndryshme që akumulohen në rrënjë.
Kura në fjalë është shumë e thjeshtë.
Mjafton të vendosni disa degë rozmarine në një kavanoz qelqi dhe ta mbushni me uthull molle.
Lërini të qëndrojnë së bashku për rreth dy javë dhe tundeni kavanozin çdo ditë për të mundësuar përzierjen më të mirë të përbërësve.
Në fund të periudhës dy javore, kullojeni lëngun dhe uthullën e aromatizuar përdoreni për shpëlarjen e flokut.
Për shpëlarjen e flokut, uthulla me rozmarinë duhet tretur në ujë.
Në një gotë uji duhet të hidhni katër lugë gjelle nga uthulla me rozmarinë dhe pjesën tjetër të gotës mbusheni me ujë.
Këtë sasi ju mund ta hidhni edhe në një shishe spërkatëse ose ta hidhni direkt në flokë pasi i keni larë ato.
Nëse keni flokë të yndyrshëm duhet të përdorni më shumë uthull dhe nëse keni flokë të thatë më pak.
Pasi ta keni hedhur mbi flokë, masazhojeni skalpin dhe mbajeni tretësirën për disa minuta.
Ekspertët thonë që nuk duhet të shqetësoheni për aromën sepse ajo do të largohet sapo flokët të thahen.
Këtë trajtim mund ta përdorni një herë në javë.