18:01 - 25 Qershor 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë sesionit të dytë të takimit me krerët e komunave, ka thënë se mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm përmes menaxhimit të mirëfilltë të financave publike.

Kurti tha se nga fillimi i mandatit, kanë punuar në ndërtimin e mekanizmave që ndikojnë në avancimin e sistemit të buxhetimit e shpenzimit, e deri tek vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie.

“Në këtë drejtim, kemi punuar në koncept-dokumentin për menaxhimin e financave publike, që shënon hapin e parë në drejtim të avansimit të legjislacionit i cili ndërlidhet me forcimin e sistemit aktual të financave publike dhe adresimin e mangësive në arkitekturën aktuale administrative”, tha ai.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se duke folur për angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nivelit komunal me qëllim të rritjes se mirëqenies së qytetarëve, kryeministri tha se si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32 për qind.

“Pra, kemi rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet të ndarë nga niveli qendror për nivelin komunal. E në këtë Komision miratuam edhe politika të reja si angazhimi i 59 konsulentëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, rritjen e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në 500, shtimin e 30 profesionistëve të TI-së, rritjen e numrit të personelit shëndetësor në shëndetësinë primare prej 299 profesionistëve, dhe mundësimin e realizimit të vizitave për gra shtatzëna e fëmijë dhe persona në kujdesin paliativ”, tha kryeministri Kurti.

Sipas ZKM-së, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, foli për ridizajnimin e kornizës ligjore për financat publike që ka për qëllim që të sigurohet menaxhim më i mirë dhe më i përgjegjshëm i parasë publike. Po ashtu, kemi në plan që në nivel kombëtar të trajtojmë çështjet problematike, siç janë ato për furnizimin me ujin e pijes, ambientin, por edhe edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Kryetarët dhe nënkryetarët e komunave gjatë diskutimit folën për problemet në komunat e tyre dhe nevojën për bashkërendim më të intensifikuar me ministritë e linjës. Si probleme kryesore që kërkojnë zgjidhje me prioritet për të rritur investimet brenda vendit dhe ato të huaja, ata theksuan përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes dhe për ujitje të tokave bujqësore, nevojën për trajtimin e ujërave të zeza dhe të përpunimit të mbeturinave, mungesën e inspektorëve komunalë e të tjera”,thuhet në komunikatë.

Kurti u kërkoi udhëheqësve komunalë që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin dhe të bashkërendohen më shumë me mërgimtarët nga komunat e tyre për rritjen e investimeve në vendlindje.