×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kurti për BBC: Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën – SHBA dhe BE-ja aleatë të pakontestueshëm

    Insajderi
    04 June 2023 - 10:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për programin e mëngjesit në “BBC” lidhur me situatën në veri të vendit.

    Kurti ka thënë se nëse jo kryetarët e zgjedhur, atëherë kush duhet të jetë në ato ndërtesa.

    “Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët për kënd duhet të shërbejnë atëherë. Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kjo është si duhet të jetë dhe të qëndroj”, ka thënë Kurti për “BBC”.

    Lidhur me kërkesën për largimin e Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, ka thënë se “mund të rishikojmë”.

    “Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë së Kosovës nga këto ndërtesa, por së pari bandat e dhunshme kriminale të cilat kanë sulmuar dhe plagosur gazetarët, policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s, duhet  të kthehen në Serbi ose në burg”, u shpreh Kurti.

    Kryeministri shtoi se ai nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, Kosovën.

    “Nuk mund të bëjë kompromise për Republikën demokratike, duke qenë kryeministri i vendit më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me policinë më profesionale e cila është e orientuar nga perëndimi”, tha ai.

    Kurti shtoi më tej se Serbia nuk lejon serbët në Kosovë që të kenë më shumë e një parti.

    “Unë kam në kabinetin tim ministrin serb Nenad Rashiq, i cili nuk i takon partisë së Aleksandar Vuçiq dhe ai është njeri më i urryer në Serbi. Serbia nuk lejon pluralizëm politik”, u shpreh Kurti, përcjell Telegrafi.

    I pyetur rreth mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, Kurti u shpreh se “jam i gatshëm të dëgjoj propozimet për zgjedhje të parakohshme, por pasi që të vendoset sundimi i ligjit në vend”, shkruan Telegrafi.

    Kryeministri shtoi se “Nuk do të lejoj që dikush të ndajë dhe të përçajë Republikën tonë demokratike”.

    Lidhur me situatën në veri, dhe deklaratat e ashpra nga SHBA-të dhe BE-ja, Kurti theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë aleatë të pakontestueshëm të Kosovës.

    “Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demkoracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, policisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, tha Kurti.

    Ai shtoi se Serbia nuk e distancojnë veten nga e kaluara e Millosheviqit, e as nuk e distancojnë nga e tashmja e Putinit.

    “Serbia është i vetmi vend që nuk i vënë sanksione Rusisë, dhe tani ata duan të kompensohen territorialisht në Kosovë për humbjet në kohën e regjimit të Millosheviqit 25 vite më parë”, tha Kurti. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark