×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti publikon dokumentin që ia refuzoi Vuçiqi në Bruksel

    Insajderi
    19 July 2021 - 19:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar dokumentin e quajtur “Deklarata e Paqes” prej gjashtë nenesh, e cila iu propozua si formë marrëveshjeje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së, Joseph Borrell përgjatë takimit në Bruksel. Ky i fundit, sipas Kurtit e pranoi, derisa Vuçiq e refuzoi.

    Kreu i ekzekutivit kosovar nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ ka publikuar dokumentin, duke thënë se pala serbe problematike e shihnin togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën”, andaj edhe e refuzuan atë.

    “Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, deklaroi ai.

    Në mesin e kërkesave të parashtruara nga pala kosovare në dialog ishte edhe zotimi për paqe, që të mos sulmojnë ushtarakisht njëra tjetrën.

    Po ashtu, siç potencohet në dokument, delegacioni me Kurtin në krye kërkoi njohjen reciproke mes dy vendeve si rezultat i marrëveshjes finale.

    Kurti u shpreh i zhgënjyer nga pala serbe, e cila sipas tij nuk pati gatishmëri për një deklaratë të përbashkët pas takimit në nivel të lartë ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

    I njëjti, pas konferencës përpara gazetarëve përgjatë së hënës deklaroi se ballafaqimi me të kaluarën për Serbinë është i domosdoshëm.

    “Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark