×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kurti s’i kuptoi mundësitë që ofron plani evropian, thotë Lajçak

    Insajderi
    20 January 2023 - 13:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këtë të premte zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u mbush me emisarët e vendeve prej më me peshë në botë. ShBA, BE, Gjermania, Franca dhe Italia, i trokitën derës së tij për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo pas “diplomacisë së zgjidhjeve të krizave” në përpjekje për të dalë në rrafshin e gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme, shkruan Insajderi.

    Përfaqësuesi Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u shpreh se pas takimit me Kurtin “nuk kam shumë për të thënë”. Në këtë shkurtësi deklarimi, Lajçak shprehu një fije zhgënjimi.

    Ne [delegacioni evropian dhe amerikan] prisnim kuptim më të mirë [nga Albin Kurti] për mundësitë që ky propozim [evropian] ofron”, tha Lajçak para gazetarëve të cilit e prisnin jashtë për të marrë vesh çfarë rezultatesh prodhoi një takim i këtyre përmasave diplomatike.

    Shpresoj të arrijmë aty, në kuptimin e plotë të saj, në përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi. Do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha Lajçak derisa u largua menjëherë nga pyetjet e mëtejme.

    Nga ç’lexohet prej deklaratave të Lajçak – i cili edhe vetë tha se “kemi ardhur këtu me një delegacion tejet të fuqishëm të BE’së, ShBA’së dhe përfaqësuesve të lartë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë – dhe kjo është sinjal në vetëvete” – takimi, tash për tash, s’prodhoi rrugë para për marrëveshje për normalizim.

    Ndërmjetësi sllovak, bën të ditur se në tryezë ka qenë plani evropian – paraprakisht i njohur si plani frankogjerman – dhe se ky pentagon diplomatësh kishin pritur “kuptim më të mirë” të mundësive që ky plan ofron nga Albin Kurti.

    ShBA, megjithatë, ka qenë më eksplicite sa i përket rrugës para në dialog. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, siç e ka artikuluar ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, do t’i paraprijë planit franko-gjerman.

    Të jini të sigurt se s’do të ketë ndofarë marrëveshje tjetër pa u realizuar ajo”, i kishte thënë ai medias “Tv Insider”.

    Ndryshe nga Kurti i cili thotë se Asociacioni do të mund të adresohej në kuadër të një marrëveshje të përgjithshme, amerikanët thonë se “Asociacioni do të bëhet” dhe atë madje kanë dhënë indikacione se ajo do të mund të kryhej deri në muajin prill.

    Emisarët, pas vizitës në Prishtinë, udhëtojnë për në Beograd.

    Në Beograd, atje thonë se as nuk e kanë pranuar në tërësi planin franko-gjerman dhe as mohuar në tërësi. Ata shprehen për “vija të kuqe” në cilëndo marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Njohja e Kosovës, Anëtarësimi i Kosovës në OKB, dhe “siguria fizike” e serbëve të Kosovës “nuk diskutohen në asnjë mënyrë”, thotë pala serbe./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark