20:53 - 22 Dhjetor 2021

Kompania e përbashkët e publicistit Veton Surroi me oligarkun nga Shqipëria, Gentijan Sulo përmendet në dosjen e skandalit “Brezovica”, si biznesi që i ka dhënë mbi 410 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtëprcës, Brratislav Nikolic në këmbim të lejes.

Por kush është Gentijan Sulo biznesmeni nga Shqipëria i përfshirë në aksionin “Brezovica”.

Shkruan Gazeta Insajderi

Gentijan Sula është një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri. Ai është i njohur si pronari i kompanisë së ndërtimit “AgiKons”.

Sulo ka në pronësi edhe firmë “S&D-Invest shpk” që administron higjienën, funksionalitetin dhe sigurinë nëpër komplekse banimi luksoze.

Gentijan Sula njihet si një ndër miqtë dhe oligarkët më të afërt të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kompania AgiKons ka në pronësi të saj rezidencën “Kodra e Diellit 1 dhe 2” në Tiranë, ku banojnë shumica e politikanëve shqiptar.

Kompani në pronësinë e Sulos,  vetëm nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Tiranë, kishte marrë 13 miliardë lekë në dy vite, me 52 tendera ndërtimi e shërbimesh.

Oligarku Sulo ka një afërsi edhe me kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Rama kishte vendosur në krye të Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, gruan e oligarkut të ndërtimeve.

Kompania e ndërtimit “AGIKONS” ka një shtrirje të gjerë të rrjetit të ndërtimeve nga ato të kullave në Tiranë deri tek resortet turistike bregdetare në Lalz, Durrës, Kavajë, Sarandë, Golem, Vlorë, Qeparo, Himarë, dhënë me licenca, troje e fonde, nga shteti.

Nga qeveria Rama, kompania tjertër në pronësin e Sulos “Noa Control”sh.p.k mori zyrtarisht nën kontroll shërbimin e kontrollit ligjor të instrumentave të karburantit dhe gazit të lëngshëm.

Në këtë mënyrë Gentian Sula merr me koncesion për 20 vite me PPP një shërbim të cilësuar si “minierë ari”, pasi me shpenzime minimale i kishte sjellur shtetit shqiptar një fitim prej 2-3 milionë euro në vit. Ndërsa “Noa Control” pritet të fitojë për 20 vite 50-60 milionë euro nga ky shërbim.

Kompania “Noa Control”sh.p.k është themeluar në prill të vitit 2015 me ortak të vetëm Gentian Sulën dhe ka një kapital prej 100 mijë lekësh.

Propozimi për të marrë me koncesion shërbimin metrologjik për karburantet dhe gazin e lëngshëm nuk ishte hera e parë që Gentian Sula i kishte drejtuar qeverisë. 

Në vitin 2015, si aksionar me 80 për qind i kompanisë “Porta Saber Albania”, ai i ofroi qeverisë një tjetër propozim të pa kërkuar për të marrë me koncesion pajisjen e targave me çip elektronik, por projekti mbeti në letër dhe kompania u tërhoq nga oferta.

Shkeljet ligjore të Surroit e Sulos në ndërtimet në Brezovicë

Gazeta Insajderi, ka raportuar se si objekti hotelier që po ndërtohej nga firma “Stella Construction” ku aksionar është Veton Surroi bashkë me oligarkun nga Shqipëria Genijan Sulon, konsiderohej si njëra ndër shkelëset e madhe ligjore në Brezovicë.

Për shkak të së cilave shkelje edhe u ishin ndaluar punimet në atë kohë.

Themeluesi i grupit “Koha”, publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, është aksionar prej 30 për qind në biznesin “Stella Construction” që pos disa vilave në Brezovicë, kishte ndërtuar edhe një objekt shumëkatësh, në kundërshtim me ligjin. Drejtor aty është Gentjan Sula, një nga 20 njerëzit më të pasur në Shqipëri. 

Gazeta Insajderi, ka siguruar dosjen e inspektimit të ndërtimeve në Brezovicë, që është pjesë e parkut kombëtar “Sharri”.

Në këtë dosje, janë dhënë arsyet e bllokimit të punimeve ku përmenden shkatërrimi i ujërave dhe leja ndërtimore për villa por jo edhe për hotel.

Në dosje thuhet se me 8 gusht 2019, organet e rendit së bashku me ato të Ministrisë së Mjedisit kishin inspektuar disa objekte në Brezovicë, në mesin e të cilave edhe ato të ndërtuara nga Stella.

Ishte konstatuar nga inspektorët se ndërtuesit nuk kishin respektuar kriteret e ndërtimit që parashihen me ligjet dhe rregulloret për ambient dhe ujë, për zonën e dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Në këtë raport thuhej se shoqëria ku ka hise edhe Surroi, ka nisur ndërtimin pranë lumit Murzhica si dhe një objekt i cili duket si impiant për trajtimin e ujit, që ndodhet brenda komplet pronës ujore.

Ishte konstatuar madje se “Stella” ka leje për ndërtim të vikendicave por jo edhe të një hoteli.

“Stella… nga MMPH posedon një pëlqim mjedisor për ndërtimin e 16 vikend shtëpizave, por në këtë vendim nuk është cekur në asnjë pikë objekti hotelier”, shkruan në raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Ambientit.

Për ndërtimin e objektit hotelier, “Stella Consulting”, do të duhej të pajisej edhe me leje ndërtimore komunale ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ për Leje Mjedisore Komunale.

“Investitori nuk është pajisur me leje ndërtimore për objektin afarizëm–hotel në parcelat kadastrale në Vërbeshticë””, shkruante në raport.

“Projekti ka qenë në ndërtim kur i janë ndaluar punimet në aksionin e përbashkët në gusht 2019”.

Ministria ka urdhëruar Komunën e Shterpcës të pezullojë kushtet ndërtimore për shkak se siç thotë, shkeljeve të tyre.

“Të pezullojë kushtet ndërtimore me numër 06-351/01-7974/18, dt. 24.07.2018 dhe Lejen dërtimore nr 06-351/02-12”, thuhet në vendimin e Ministrisë.

Publicisti, Veton Surroi pati mohuar se kompania, pjesë e të cilës është ai ka bërë ndonjë shkelje.

“Objekti në fjalë është pronë e Shoqërisë me përgjegjësi të Kufizuar ‘Stella Consulting’ , në të cilën jam aksionar minoritar. ‘Stella Consulting’ ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore , sipas ligjeve në fuqi, para se ta fillonte ndërtimin dhe u është përmbajtur atyre”, pati thënë Surroi në një përgjigje për Insajderin.

“Punëkryesi e ka informuar ‘Stella Consulting’ se nuk ka marrë urdhër ndërprerje të punimeve nga ana e autoritetit ligjor i cili ka dhënë leje”, ka thënë ai.

Por, dosja tregonte diçka tjetër./GazetaInsajderi/