×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kush është senatori që e hapi çështjen e dialogut në seancën e konfirmimit të Blinken dhe çka e lidh atë me Kosovën?

    Insajderi
    19 January 2021 - 23:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qasja e administratës së re të Shtëpisë së Bardhë ndaj Kosovës, veçanërisht në raport me dialogun Kosovë–Serbi, është diskutuar në seancën e konfirmimit në Senatin amerikan të Anthony Blinken, sekretarit të Shtetit të emëruar nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden.

    Blinken ka lavdëruar arritjet e Administratës Trump në dialogun Kosovë-Serbi.

    Derisa po i përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të komisionit të Jashtëm të senatit amerikan, në një seancë dëgjimorë që i hap rrugë nisjes së procedurave për miratimin e tij nga senati amerikan, Blinken ka pranuar se marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar është një e arritur e mirë, transmeton Gazeta Insajderi.

    “E përmende punën që është bërë me Kosovën dhe Serbinë. E duartrokas edhe këtë arritje [të administratës Trump, v.j]. Presidenti i zgjedhur, ju e dini që ka qëndruar shumë herë në këto shtete në të kaluarën dhe ai ndan bindjen tuaj për këtë dhe ka gjëra që ne mund të bëjmë për të ndihmuar në lëvizjen e Kosovës përpara dhe me shpresë për të çuar përpara edhe Serbinë”, ka deklaruar Blinken.

    Diskutimin për Kosovën në këtë seancë nuk e hapi Blinken. Atë e bëri Ron Johnson, një njohje e moçme e Kosovës. Ai është një senator republikan, i cili ka vizituar disa herë Kosovën dhe rajonin. Është përfshirë në diskutime lidhur me interesat ekonomike amerikane në Kosovë dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit të kaluar.

    Ron Johnson, senatori i Wisconsinit, ishte njëri nga gjashtë personalitetet që e morën fjalën pas nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi në ‘Dhomën Roosevelt’ të Shtëpisë së Bardhë.

    65-vjeçari, pjesë e Partisë Republikane në ShBA, e kishte cilësuar “vërtetë të madhe” marrëveshjen ekonomike të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Richard Grenell, Emisarit Special të Presidentit Trump për dialogun.

    “Së pari, dua të them se kjo është një marrëveshje vërtetë e madhe. Nuk mund të jem i gëzuar më shumë se kaq për të dyja vendet, veçanarisht për njerëzit në Kosovë dhe në Serbi”, ishte shprehur Johnson, i cili kishte thënë të ketë qenë i përfshirë në çështjen e konfliktit të ngrirë Kosovë-Serbi.

    Kjo lidhje e tij me vendet e Ballkanit, kishte deklaruar senatori nga Wisconsini, i ka dhënë atij mundësinë që ta ketë të qartë se sa e madhe është marrëveshja e arritur nga Grenell.

    Johnson, në të kaluarën ka qenë i përfshirë jo vetëm në çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ekonomike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai është implikuar direkt edhe në çështje të tjera që ndërlidhen me politikat amerikane në Kosovë.

    Senatori amerikan, i cili po ashtu ka ndërtuar karrierë në biznes në të kaluarën, është udhëheqës i një nën-komiteti të Senatit Amerikan i cili mbikëqyr zhvillimet në Evropë.null

    Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e tij, Nën-komiteti për Evropë dhe Bashkëpunim të Sigurisë Rajonale diskutoi për projektin e ndërtimit të impiantit energjetik “Kosova e Re” në Kosovë. Projekt që konsiderohej interes strategjik i ShBA-ve në Kosovë.

    Në këtë mbledhje të Nën-komitetit të Senatit, përfaqësuesi Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, paralajmëroi për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë përmes zhbërjes së projektit të Termocentralit “Kosova e Re”.

    “Nëse ky projekt dështon, Kosova mund të detyrohet të marrë në konsideratë alternativa që përfshijnë energjinë me burim nga Rusia”, u shpreh Palmer.

    Po ashtu, përgjatë tri viteve të fundit, Johnson e vizitoi dy herë Kosovën; në vitet 2018 dhe 2019. U takua me liderët më të lartë shtetërorë dhe u citua të ketë diskutuar me ta për partneritetin strategjik të ShBA-ve me Kosovën.

    Pas vizitave në Kosovë dhe Serbi në shtatorin e vitit të kaluar, Johnson, gjithashtu vendosi në pah përpjekjet e tij për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ajo që mund të them është se kjo është vizita ime e katërt në rajon, se jam takuar me të dy presidentët… se viteve të shkuara kam qenë mjaft i anagzhuar rreth kësaj çështjeje”, ishte shprehur senatori, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Siç citohet të ketë thënë ai vitin e kaluar, edhe Prishtina edhe Beogradi presin “lidership më të madh amerikan” në negociata. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark