×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kushtetuesja e rrëzon Ligjin e Haxhiut, LDK kërkon shkarkimin e menjëhershëm të saj

    Insajderi
    24 March 2023 - 20:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshmen në tërësinë e tij Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Në korrik të vitit 2022, PDK dhe LDK e kishin dërguar për shqyrtim në GJK ndryshimet që ishin bërë në këtë ligj, pas dyshimeve se ato ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

      “Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, të mbështetura edhe nga Këshilli Prokurorial, Oda e Avokatëve por, në esencë, edhe nga Avokati i Popullit sa i përket çështjeve që ndërlidhen me kompetencat e tij dhe të kundërshtuara nga Ministria e Drejtësisë, ndërlidhet me cenimin e pavarësisë kushtetuese të Këshillit Prokurorial”, thuhet tutje.

    Pas këtij vendimi menjëherë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë. Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e partisë.

    Tutje, LDK thotë se shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa, gjithmonë do jetë në mbrojtje të Republikës sonë dhe rendit tonë kushtetues; një fushë që ky pushtet duket se nuk e kupton”, thuhet në fund.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark